SHOWBIZ / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 16:04

FOTO/ Merr vëmendje reagimi i Xhensila Myrtezajt pas dënimeve në Hagë, por jo vetëm kaq...

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është pasuar nga reagime të shumta edhe nga personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar.

Më 16 shtator, trupi gjykues dënoi në shkallë të parë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burgim, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite. Katër ish-drejtuesit e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimet mund të apelohen.

Mes reagimeve që morën vëmendje ishte ai i Xhensila Myrtezajt. Këngëtarja publikoi një mesazh të shkurtër në Instagram, ku e cilësoi vendimin si “turpin më të madh që mund të ndodhte ndonjëherë”, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Liri për çlirimtarët”.

Edhe Bora Zemani reagoi përmes një postimi në InstaStory, ku publikoi fotografinë e katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe shkroi: “Turp! Dënohen çlirimtarët! Historia nuk mund të zhbëhet nga asnjë vendim! Sakrifica për liri nuk mund të dënohet!”.

Një reagim më të gjatë bëri Elton Tozaj. Ai kundërshtoi publikisht vendimin dhe shkroi ndër të tjera: “Fajtor sepse luftove për lirinë dhe vendin tënd? Ky është turp”, ndërsa u bëri thirrje ndjekësve të mos heshtin.

Sara Gjordeni zgjodhi të publikonte një fotografi teksa ndiqte raportimin televiziv për vendimin, të shoqëruar me mbishkrimin “WOW! Pa fjalë!”.

Loreana Brati publikoi një fotografi nga lufta në Kosovë, duke shkruar se vendimi ishte “një thikë në zemër për ne shqiptarët” dhe duke shtuar: “Kjo s’është drejtësi”.

Reagime pati edhe nga aktori Bes Kallaku. Ai publikoi emblemën e UÇK-së, duke e cilësuar vendimin “të padrejtë ndaj historisë dhe dinjitetit të një kombi”.

Romeo Veshaj ndau gjithashtu një imazh me emblemën e UÇK-së dhe mesazhin: “Turp! Liri për ata që sollën lirinë! Heronjtë nuk kërkojnë lavdi. Kërkojnë drejtësi!”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Egli Tako, e cila publikoi emblemën e UÇK-së dhe shkroi: “Çfarë padrejtësie…”.

Reagimet e personazheve të njohur vijnë në të njëjtën ditë kur vendimi shkaktoi kundërshtime dhe tubime edhe në Prishtinë dhe pranë gjykatës në Hagë.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues theksoi se procesi nuk kishte në fokus legjitimitetin e UÇK-së apo qëllimin e saj për çlirimin e Kosovës, por përgjegjësinë penale individuale për veprat që ishin objekt i çështjes gjyqësore.