
Pas përfundimit të seancës në Hagë dhe shpalljes së dënimeve ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëmendjen e ka marrë edhe reagimi i familjarëve që kishin udhëtuar për të ndjekur nga afër aktgjykimin.
Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit, dhe Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit, u panë duke u larguar nga ambientet e Dhomave të Specializuara pa dhënë deklarata për gazetarët që ndodheshin jashtë gjykatës.
Të dy kishin qenë të pranishëm në Hagë që përpara nisjes së seancës. Në mëngjes, Endrit Thaçi kishte folur shkurt për mediat, duke deklaruar se priste “liri për të gjithë”, ndërsa Klestor Veseli kishte zgjedhur të mos prononcohej në atë moment.
Pas shpalljes së aktgjykimit, situata ishte ndryshe. Familjarët u larguan pa komentuar menjëherë vendimin e trupit gjykues, ndërsa pamjet e daljes së tyre nga gjykata u transmetuan edhe nga mediat shqiptare.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burg, ndërsa Kadri Veseli me 18 vite. Jakup Krasniqi mori gjithashtu dënim prej 25 vitesh, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vite. Të katër u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Bëhet fjalë për aktgjykimin e shkallës së parë dhe palët kanë të drejtën ta apelojnë vendimin.
Pak më vonë, Klestor Veseli bëri edhe reagimin e tij të parë pas vendimit, duke deklaruar se familja do të qëndrojë e fortë pavarësisht dënimit të dhënë ndaj babait të tij.
