LAJME / E Premte 19 Qershor 2026, 17:05

Si tentoi “Grupi i Arubas” të futej në Top Channel dhe roli i Besnik Myftarit si “garanti” te Rama

Transkriptet e reja të zbardhura nga komunikimet sekrete në rrjetin SkyECC mes personave nën hetim, Alfred Hamzai dhe Ardian Zykaj, nxjerrin në dritë një skenë tejet të rëndë të ndërthurjes së krimit të organizuar, pastrimit të parave në ndërtim dhe tentativës për të kapur një prej mediave më të mëdha në vend, televizionin Top Channel.

Në qendër të kësaj marrëveshjeje, ku flitet për miliona euro dhe investitorë të fuqishëm, shfaqet si urë lidhëse dhe garant i plotfuqishëm emri i Besnik Myftarit, një drejtori të Top Channel, të cilit në përgjime anëtarët e grupit të Arubas i referohen si Beso ose Besua.

Komunikimet e nëntorit të vitit 2020, që Zoom.al ka mundur t’i shohë, tregojnë se “Grupi i Arubas”, drejtues i të cilit ishte Artur Shehu, nuk po synonte vetëm investimin e parave të drogës në ndërtim në Tiranë, por edhe blerjen e ndikimit mediatik për t’u bërë të paprekshëm.

Më 7 nëntor 2020, Ardian Zykaj i shkruan Alfred Hamzait duke i shpjeguar skemën se si blerja e një toke prej 300 m² te ish-restorant “Juvenilja” në Tiranë, për vetëm 100 mijë euro, do të kthehej në një fitim prej miliona eurosh në ndërtim. Por përfitimi më i madh ishte futja në media.

“Dhe televizioni me Beson eshte top fare. Beheni të pa prekshëm fare, derman. kurse televizionin dhe ëebsaiti si te doj dermani tha. Ne jemi nga krahu Besos” – i shkruan Zykaj mikut të tij Alfred Hamzai.

Plani ecën përpara me shpejtësi. Më 23 nëntor 2020, Zykaj raporton se ka mbyllur takimin me “çunat e Capricos”, vëllezërit Adrian dhe Erjon Rama, për të ndarë përqindjet e tokës. Madje, për të treguar se gjithçka ishte e koordinuar, grupi fillon të lëvizë paratë e para zyrtare përmes bankave për të nisur kapjen e strukturës mediatike.

“Se fola me Beson. Do bëjmë pagës në bankë për televizionin”, -shkruan Zykaj.

Roli i Besnik Myftarit – Besos: “Asi nën mëngë” që flet direkt me Ramën

Nga i gjithë fashikulli i përgjimeve, Besnik Myftari (Besua) nuk rezulton thjesht një bashkëpunëtor, por garanti absolut i operacionit, njeriu që hapte dyert e lejeve të ndërtimit në nivelet më të larta shtetërore dhe që, siç del nga komunikimet, dyshohet se kishte akses të drejtpërdrejtë te Kryeministri Edi Rama.

Sipas mesazheve, Myftari ishte ai që bënte llogaritë e fitimit, që siguronte grupin e strukturuar se lejet ishin të garantuara dhe që sillte mesazhe nga kreu i qeverisë.

Drita jeshile nga Rama: Që në fillim, grupi ndihej i sigurt sepse Besua kishte marrë konfirmimin nga kryeministri:

“Po Besua ma siguroj që do ndërtohet aty. Se i tha Rama. Dhe toka aty vlen se fiton në ndërtim shumë fare”, – vijon Zykaj.

Besoja jep garanci. Kur vjen puna te prishja e “Juveniljes” dhe ndërtimi i pallatit të madh, Zykaj qetëson Hamzain se mbështetja është e blinduar.

“Po po, Besua ka ndërhyrë që do ndërtohet… ai ma bëri llogarinë. Del Besua Garant”.

Nga “Juvenilja” në Palasë: “Marrim lejen, flas me Ramën direkt”

Ndikimi i Besnik Myftarit (Besos) nuk kufizohej vetëm te projekti te “Juvenilja”. Ai shfaqet në përgjime si njeriu që lëvizte kapitale të mëdha investitorësh dhe garantonte leje ndërtimi direkt nga zyra e kryeministrit për zonat më strategjike të bregdetit jugor, siç është Palasa.

Më 23 nëntor 2020, Zykaj zbulon një bisedë tjetër të rëndësishme me Myftarin.

“Dhe një gjë më tha Besua. Shumë e rëndësishme: kam ca investitorë të fortë shumë dhe flas me Ramën direkt. Për tokën në Palasë e marrim lejen” – vijojnë komunikimet.

Në mars të vitit 2021, frytet e ndërhyrjeve të Besos bëhen realitet. Toka e blerë me paratë e “zarfeve” të lënë nëpër banakë (siç përshkruhet në faqen 23 të dosjes) përfshihet zyrtarisht në lejen e ndërtimit.

“Besua e kish futur në leje atë tokën që del në emrin tonë. Aty bëmë bingo më duket. Dhe Besua u fut që të tregojë se u mori lejen atyre te Rama”, – rezulton nga bisedat në SkyEcc.

Këto komunikime të SkyEcc zbulojnë skemën e frikshme se si funksionon një pjesë e rëndësishme e ekonomisë në Shqipëri. Ndërsa në publik flitet për investime strategjike, në prapaskenë, trafikantët trajtojnë lejet e ndërtimit në Tiranë dhe bregdet apo aksione në televizioneve kombëtare si plaçkë që ndahet me përqindje, duke përdorur njohjet direkte me pushtetin si garanci për të shndërruar milionat eurot e përfituara nga droga në miliona të tjera të pastruara, ZOOM.al/ do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE