LAJME / E Martë 26 Dhjetor 2023, 13:01

“Kam 2 fëmijët lart”, flet zjarrfikësi që u asfiksua nga zjarri në Lushnje: Kjo ishte situata më e keqe

Arben Zaçi është njëri nga zjarrfikësit e plagosur rëndë që ishte ndër të parë që ndërhyri për të shpëtuar qytetarët në qendrën tregtare në Lushnje që u përfshi nga flakët e zjarrit ditën e hënë (25 Dhjetor 2023).

Ai ishte jashtë shërbimit atë moment pranë vendit të ngjarjes, dhe kur dëgjoi alarmin e shefit në radio vendosi të ndërhynte me ato mjete rrethanore që i gjendeshin.

Në një prononcim për gazetaren e Klan News Anila Sefa, zjarrfikësi tregon momentet e para të ndërhyrjes, deri kur humbi ndjenjat si pasojë e tymit.

Por sot ai është në gjendje të mirë, dhe siç thotë, ndihet më mirë kur nuk ka dëme në njerëz.

Zjarrfikësi Arben Zaçi: Ishte një nuse këtu, kishte 2 fëmijët. Tha “kam 2 fëmijët në kat të 7-8, atje u ndeshëm me një xhaje ngaqë ishte tymi shumë…Morëm vesh që s’kishte më njerëz, u evakuuan lart njerëzit, zbritëm dhe nuk mbaj mend gjë fare pastaj se u bllokuam.

Gazetarja Anila Sefa: Kishe mjete të posaçme për t’u ngjitur dhe për të ndërhyrë?

Zjarrfikësi Arben Zaçi: Ishim rastësisht se nuk ishim në punë, nuk ishim në ditën e shërbimit. Morëm vesh që dha shefi alarm dhe u ngjitëm me çfarë mundëm, bëmë çfarë mundëm. Çfarë ishin varur njerëzit i zbritëm.

Gazetarja Anila Sefa: Sa vjet ke punë zjarrfikës, ka qenë kjo situata më e keqe?

Zjarrfikësi Arben Zaçi: Jo jo kjo ishte më e keqja. 17 vjet që kam punë kjo është më.. Na ruajti Zoti.

Gazetarja Anila Sefa: Si ndiheni sot?

Zjarrfikësi Arben Zaçi: Më mirë. Kur s’ka dëme në njerëz jemi më mirë. Kjo është puna jonë që mos të ketë dëme në njerëz.

Gazetarja Anila Sefa: Dëgjoje të thirrura për ndihmë?

Zjarrfikësi Arben Zaçi: Po kishte njerëz që po bërtisnin. Kishte shumë njerëz që po bërtisnin. Sa zbrita te kati i parë, ishte dhe policia, s’mbaj mend më gjë fare. Na ruajti Zoti.

Zjarri përfshiu dje qendrën tregtare në Lushnje dhe disa kate banimi mbi të. Me ndërhyrjen e zjarrfikësve, forcave të policisë dhe ushtrisë u arrit që të evakuoheshin të gjithë banorët ndërsa beteja me flakët zgjati deri pas mesnate kur u vendosën nën kontroll.

Disa banorë u asfiksuan si pasojë e tymit, por fatmirësisht nga e gjithë ngjarja nuk pati asnjë viktimë.