
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka arrestuar shefin e Policisë së Burgut të Drenovës, Mariglen Kadiu.
Gazetarja Daniela Zisi mëson se ai është lënë me masën e sigurisë arrest shtëpie nga gjykata dhe dyshohet që arrestimi ka lidhje me detyrën që ka kryer në burgun e Peqinit.
Prokuroria e Elbasanit kërkoi arrest me burg, por gjykata vendosi një masë më të lehtë, për shkak se ai ka edhe një fëmijë autik.
Kadiu ka patur një detyrë të rëndësishme në sigurinë e burgut të Peqinit dhe prej 8 muajsh ishte transferuar në burgun e Drenovës.
Kujtojmë se në 15 Dhjetor brenda burgut të Peqinit, u vra Arben Lleshi. Ai u ekzekutua me pistoletë nga një i dënuar tjetër, Sokol Mjacaj. Si pasojë e ngjarjes u plagos edhe Indrit Shaqja, i cili dyshohet ndër të tjera se bashkëpunoi me Mjacajn për vrasjen e Lleshit.
Në lidhje me këtë ngjarje janë lënë në burg edhe drejtori i komanduar Kamber Hoxha bashkë me 10 vartës të tij për shpërdorim detyrë./tvklan.al
