LAJME / E Shtunë 20 Qershor 2026, 15:03

3 orë e 30 minuta deri në Majën e Korrës, itinerari i “çmendur” i Mand Dhelpërës për të zhdukur trupin e mikut të tij

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimi për vrasjen e Eglant Koç, një ngjarje që, sipas autoriteteve, u pasua nga një operacion i mirëorganizuar për të fshehur trupin dhe për të mbuluar çdo gjurmë.

Sipas të dhënave hetimore, pas ekzekutimit të 4 qershorit në ambientet e lokalit dhe zyrave pranë shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, Armand Shakaj dyshohet se ka ndërmarrë një sërë veprimesh për të larguar trupin e viktimës nga vendi i krimit.

Një ditë më vonë, më 5 qershor, ai dyshohet se e ka transportuar trupin me Porsche-n e Koçit. Për të shmangur dyshimet, mjeti është zhvendosur me një karrocë drejt zonës së Ibës. Burime nga hetimi tregojnë se drejtuesit të mjetit të transportit i është thënë se makina po dërgohej në një stacion servisi për riparime.

Pas kësaj, Shakaj dyshohet se ka vazhduar lëvizjen e tij drejt zonave malore të Elbasanit, duke ndjekur një rrugë pak të njohur larg rrugëve kryesore. Hetuesit besojnë se ai kishte njohuri të mira të terrenit, pasi frekuentonte shpesh zonën për aktivitete me motor në natyrë.


Rruga e ndjekur kalonte nëpër fshatrat Mollagjesh dhe Funar, përpara se të hynte në një territor të pyllëzuar dhe të vështirë për t’u arritur. Sipas burimeve, udhëtimi zgjati rreth tre orë e gjysmë për të arritur në afërsi të Majës së Korrës, një zonë malore e izoluar.

Pavarësisht terrenit të thyer dhe kushteve të vështira, dyshohet se ai ka arritur në një nga pikat më të larta të zonës. Atje, sipas hetimeve, trupi i Eglant Koç u nxor nga automjeti dhe u hodh në një përrua, me bindjen se vendi i largët dhe i paarritshëm do ta bënte pothuajse të pamundur zbulimin e tij.

Megjithatë, hetimi nuk u ndal. Ekspertët mjeko-ligjorë theksojnë se edhe planet më të kujdesshme lënë gjurmë, dhe ishin këto gjurmë që e drejtuan policinë drejt zonës ku u gjet trupi.

Një nga elementët kryesorë të hetimit rezultoi të ishte telefoni celular i Armand Shakajt. Edhe pse pajisja u hodh më vonë, ekspertët arritën të rindërtonin lëvizjet e tij përmes analizës teknike dhe lokalizimit të sinjalit të fundit të regjistruar.

Paralelisht me provat teknologjike, hetuesit morën edhe informacione nga banorët e zonës. Provat e mbledhura në rrugët operative treguan se automjeti i Shakajt ishte parë duke kaluar nëpër disa fshatra që të çonin në zonën malore ku ishte përqendruar kërkimi atëherë.

Kombinimi i provave teknike dhe dëshmive në terren i çoi autoritetet në zonën e Cërrujës, ku pas disa ditësh kërkimesh intensive, u bë e mundur gjetja e trupit të Eglant Koçit dhe avancimi i mëtejshëm i hetimeve për të zbardhur plotësisht incidentin, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE