LAJME / E Shtunë 19 Shtator 2026, 21:09

Shenohet nje tjeter humbje jete nga vrusi

Shënohet viktima e dytë nga virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë, ndërsa shtatë raste të infektimit janë konfirmuar nga autoritetet shëndetësore.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njoftoi se një tjetër person ka humbur jetën si pasojë e infeksionit, vetëm disa ditë pas raportimit të rastit të parë fatal.

Sipas IKSHPK-së, të shtatë personat e prekur janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Tre prej pacientëve paraqesin shenja klinike të meningjitit akut, ndërsa tre të tjerë shenja të meningoencefalitit akut. Një pacient paraqet gjendje febrile.

Gjatë periudhës 7 gusht–18 shtator 2026, Laboratori i Mikrobiologjisë ka konfirmuar gjithsej shtatë raste me virusin e Nilit Perëndimor. Pesë prej të infektuarve janë meshkuj dhe dy femra.