LAJME / E Shtunë 19 Shtator 2026, 14:02

FAQJA E ZEZË Prokuroria i fshehu, gjykatësit i injoruan: Dokumentet amerikane thoshin se UÇK-ja s’kishte komandë efektive dhe nuk sulmonte civilët

Trupit gjykues në Speciale, siç duket, nuk i kanë bërë fare përshtypje provat dhe dokumentet e Departamentit të Shtetit amerikan dhe të CIA-s.

Dhe, me sa duket, më shumë vlerë kanë pasur thashethemet nga faqe online të paverifikuara apo dëshmi absurde që akuzonin ushtarë të UÇK-së se “ua kanë vjedhur lopët”.

Një nga skandalet e mëdha në Gjykatën Speciale, që kishte ndodhur në muajt e parë të procesit, para se të niste dëgjimi i dëshmive dhe prezantimi i dokumenteve, ishte fshehja e provave shfajësuese.

Prokuroria Speciale në Hagë, pavarësisht obligimeve që e ngarkojnë, për më shumë se dy vjet mbajti të fshehta prova shfajësuese për krerët e UÇK-së.

Bëhej fjalë për dëshmi me peshë të madhe, siç ishte një raport i CIA-s amerikane i vitit 2000, një dokument i Departamentit të Shtetit i vitit 1999 dhe një dëshmi e ish-ambasadorit të OSBE-së, Daan Everts, të cilat thoshin se nuk kishte prova se UÇK-ja ishte një organizatë e strukturuar dhe se, si e tillë, ajo kryente sulme të organizuara ndaj civilëve.

Në dokumentin e Departamentit të Shtetit, të datës 4 maj 1999, thuhet se UÇK-ja nuk kishte strukturë komanduese efektive.

“Për më tepër, pasi nuk ka strukturë politike në Kosovë ose komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së, do të duheshin shumë muaj, nëse jo vite, për t’i organizuar ata që të përdorin dhe mirëmbajnë çdo ndihmë ushtarake që Shtetet e Bashkuara do të ofronin”, thuhet në dokument.


Letra e Departamentit të Shtetit


Letra e Departamentit të Shtetit

Në një dokument të inteligjencës amerikane, CIA thotë ndërkaq se UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në dhunë të motivuar politikisht.

“UÇK-ja nuk duket të jetë e përfshirë në aktivitete terroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht dhe e ushtruar kundër caqeve civile.”


Dokumenti i CIA-s

Provat shfajësuese janë të rëndësishme edhe në fazën paraprake, sepse krijojnë rrethana për mbrojtjen në liri, por edhe i shërbejnë procesit si prova lehtësuese në aktgjykim.

Gregory Kehoe, ish-avokat i Hashim Thaçit, kishte reaguar për fshehjen e këtyre dokumenteve më 4 shkurt 2022, në një nga seancat e statusit të çështjes.

“Asnjë nga këto nuk na u dorëzua kur po shkëmbenim dhe diskutonim për këtë provë. Asnjë nga këto nuk iu paraqit juve, i nderuar gjykatës. Asnjë. Dhe ata e kanë pasur këtë informacion për katër vjet, ndërkohë që këta katër zotërinj qëndrojnë në burg që nga nëntori i vitit 2020”, tha ai.

Ky veprim i Prokurorisë cenonte jo vetëm procesin kundër krerëve të UÇK-së.

“Implikimet janë të tilla që e shkatërrojnë, e tronditin themelin e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë”, deklaronte Pierre-Richard Prosper, avokat i Hashim Thaçit.

Duke i fshehur provat, Prokuroria ka manipuluar gjyqtarin e procedurës paraprake, duke filluar që nga faza fillestare e hetimeve, ngritja e aktakuzës dhe konfirmimi i saj.

Po ashtu, kjo ka cenuar të drejtën e të akuzuarve për lirimin me kusht të krerëve të UÇK-së, pavarësisht se mbrojtja e tyre kishte bërë me dhjetëra kërkesa.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, kishte akuzuar Prokurorinë për fshehjen edhe të dëshmisë së ish-shefit të OSBE-së, Daan Everts.

“Dhuna pas vitit 1999 nuk ishte pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqësit shqiptarë”, kishte thënë Everts në dëshminë e tij.