
Kreu i PD, pas një kohe “pushim” e cila korespondoi me marrjen e vizës dhe vizitën e tij në SHBA, ju është rikthyer sulmeve të ashpra ndaj Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Në bashkëbisedimin online me ndjekësit e tij në FB, Berisha ka thënë se kryeministri Edi Rama është i kapur dhe kontrollohet nga Belinda Balluku, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Por sipas Berishës SPAK që po heton këta të tre, është nën urdhërat dhe kontrollin e plotë të Edi Ramës. Sipas tij kjo e bën Prokurorinë e Posaçme, ortake me narkoshtetin!
E vërteta është, dhe ua them me fakte, se personat që kontrollojnë sot totalisht Edi Ramën janë tre. Është Lubi Balluku, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Pse janë këta? Sepse të paktën minimumi 60 gjer 70% të krimeve të tyre janë të porositura nga Edi Rama.
Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se Lubi Balluku është notere ose bashkë-autore në të gjitha vjedhjet, që Edi Rama ka bërë që kur është bërë kryetar bashkie dhe atë e ka vendosur shefe kabineti, gjer sot.
Ndaj dhe do më falni, kur SPAK-u kërkoi për herë të parë arrestimin e Lubi Ballukut, e vërteta është se në prani të Ulsi Manjës dhe të famëziut Don Agaçio, Edi Rama bëri përpjekje shumë-orëshe për të bindur Lubinë që t’i jepte dorëheqjen dhe të paraqitej.
Por e vërteta është që pas asaj seance pesë orë takim, ishte Lubia që bindi Ramën të hiqte dorë, se 60% e dosjes së saj nuk ishin Balluku, por ishin Rama. Ishin dosja Rama.
Ndaj dhe, ajo që ju kam thënë ju them prapë, ata të tre e kanë në dorë.
Nuk mundet kurrë që të shkarkohet i gjithë sistemi i TIMS, me arkivën totale të kriminalitetit e të dhënat e qindra e miliona njerëzve, të eksportohej në duart e krimit dhe të mos hynte një gjemb në këmbë, sepse u bë me urdhër të padronit. Vetëm padroni mund të jepte një urdhër të tillë.
Unë e kam akuzuar në atë kohë Ballën. Por zhvillimet e mëvonshme treguan që ai ishte urdhër direkt i Edi Ramës.
Pra, në këtë kuadër është Rama ai që kontrollon SPAK-un. Nuk janë këta, asnjëri prej tyre. Por Rama, po.
Po të jap një shembull tjetër. Merr dosjen e Arubës. Çfarë është dosja e Arubës? Është takim kriminal trepalësh i trafikantëve të mëdhenj të drogës, ndërtuesve të mëdhenj shqiptarë dhe qeveritarëve shqiptarë.
Urdhër-arrestet janë lëshuar për ndërtuesit, janë lëshuar për trafikantët, dhe asnjë fjalë për qeveritarët që ishin organizatorë të mbledhjes.
Atëherë, çfarë tregon kjo? Kjo tregon kontroll absolut, dhe kjo e bën SPAK-un ortak me narkoshtetin.
Pse, thoni ju? Përkufizimi i narkoshtetit: implikimi i elitës me trafikantët është një nga hallkat më kryesore të ekzistencës së tij. Dhe këtë hallkë duhet ta fshehin tani. Po nuk fshihet.
Ajo dihet në Spanjë, ajo dihet në Berlin, ajo dihet në Bruksel, ajo dihet kudo. Veçse sa faktojnë që ata zbatojnë urdhrat e Edi Ramës./Alfapress.al
