
Rrëfimi në gjyq i shqiptarit të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes: “Humba kontrollin, kërkoj falje”
Procesi gjyqësor ndaj Kastriot Cenkos, 42-vjeçarit të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, në Ampelokipi të Greqisë në nëntor të vitit 2024, ka vijuar me dëshminë e vetë të pandehurit, i cili ka kërkuar falje para trupit gjykues dhe ka pranuar autorësinë e krimit.
Para Gjykatës së Përzier me Juri, Kastriot Cenko deklaroi se marrëdhënia me bashkëshorten kishte kohë që ishte përkeqësuar për shkak të konflikteve të vazhdueshme familjare.
Ai pretendoi se kishte mësuar për një lidhje jashtëmartesore të gruas me një mik të tij të fëmijërisë, gjë që, sipas tij, kishte rënduar edhe më shumë situatën mes tyre.
“E doja shumë. Nuk doja ta besoja çfarë po ndodhte”, deklaroi ai para gjykatës.
Sipas dëshmisë së tij, momenti vendimtar ndodhi kur bashkëshortja i tha se do të largohej nga shtëpia duke marrë me vete edhe fëmijët, ndërsa pretendoi se fëmija më i vogël nuk ishte biologjikisht i tij.
“Në atë moment u çmenda. E gjithë jeta ime ishin fëmijët e mi”, tha 42-vjeçari, duke pranuar se e kishte goditur bashkëshorten me një çekiç.
Ai deklaroi se pas ngjarjes ishte përpjekur t’i jepte ndihmën e parë, por pa sukses.
Më tej, sipas dëshmisë së tij, trupin e mbështolli dhe fillimisht e fshehu në një dollap brenda apartamentit, ndërsa më vonë e transferoi në papafingo.
Të nesërmen, ai dërgoi fëmijët në shkollë dhe shkoi në vendin e punës, ku u kishte thënë kolegëve se bashkëshortja ishte larguar nga shtëpia.
Gjatë procesit gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues vuri në pikëpyetje versionin e të akuzuarit, duke theksuar se mënyra se si ishte mbështjellë trupi me disa shtresa qesesh nuk përputhej me pretendimin se ai nuk kishte pasur qëllim të fshihte krimin.
Kastriot Cenko mohoi se kishte planifikuar të arratisej ose të fshihte ngjarjen.
“Nëse doja të zhdukesha, mund ta kisha bërë. Nuk kam menduar kurrë të fshihesha”, deklaroi ai, duke shtuar se veprimet e tij kishin pasur për qëllim që fëmijët të mos përballeshin me pamjen e trupit të nënës së tyre.
Sipas dosjes hetimore, ishte vetë Kastriot Cenko ai që më vonë njoftoi autoritetet, pranoi krimin dhe u tregoi hetuesve vendin ku kishte fshehur trupin e bashkëshortes, si dhe çekiçin që dyshohet se u përdor gjatë vrasjes.
Procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë provat dhe dëshmitë e palëve përpara se të marrë vendimin përfundimtar.
Personi i akuzuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
