
Irani planifikon të vendosë tarifa për anijet tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme iraniane, në një kohë kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit mbeten të larta.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se Teherani po bashkëpunon me Omanin për krijimin e mekanizmave që lidhen me sigurinë detare, mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër krimit në det.
Sipas tij, tarifat nuk do të vendosen thjesht si pagesë për të drejtën e kalimit, por do të lidhen me shërbimet detare që u ofrohen anijeve gjatë kalimit në ngushticë.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme për shkak të përshkallëzimit të konfliktit ushtarak mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike për tregtinë globale të energjisë dhe çdo kufizim apo rritje e kostove të transportit mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin dhe çmimet e naftës dhe gazit në tregjet ndërkombëtare.
Përpara fillimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit më 28 shkurt, anijet tregtare kalonin kryesisht pa pengesa nëpër ngushticë dhe nuk paguanin tarifa për tranzitin. Hormuzi është rreth 39 kilometra i gjerë në pikën e tij më të ngushtë, duke e bërë atë një prej pikave më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të transportit detar në botë.
Sipas Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit (UNCLOS), anijet kanë të drejtën e kalimit tranzit nëpër ngushticat ndërkombëtare dhe shtetet nuk mund të bllokojnë në mënyrë arbitrare kalimin e anijeve tregtare. Megjithatë, Irani nuk e pranon këtë interpretim juridik në rastin e Ngushticës së Hormuzit, duke e bërë çështjen një tjetër pikë të debatit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, nënpresidenti amerikan JD Vance deklaroi se objektivi i Shteteve të Bashkuara është rikthimi i qarkullimit të naftës dhe gazit përmes Hormuzit në nivelet e periudhës para luftës.
Njoftimi i Teheranit për tarifat e reja vjen në një moment veçanërisht të tensionuar diplomatik dhe mund të shtojë pasigurinë për kompanitë e transportit detar, pronarët e anijeve dhe tregjet globale të energjisë.
Çdo ndryshim në mënyrën e funksionimit të kësaj rruge strategjike mund të ketë pasoja për kostot e transportit dhe çmimet e naftës dhe gazit në mbarë botën, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
