
Skenarët për pasardhësin dhe lufta për fronin…
Kryeministri po shqyrton fuqizimin e një numri dy, shpalljen e datës së largimit dhe rikthimin e figurave të vjetra të PS-së, ndërsa çdo lëvizje rrezikon të ndezë rebelimin brenda mazhorancës…
Edi Rama e ka vonuar shpalljen e ndryshimeve në qeverinë e tij dhe, sipas të gjitha gjasave, po ngurron ta bëjë këtë edhe më 25 gusht.
Në Pogradec, kryeministri pritet të shpallë në terma konkretë platformën e tij të “reflektimit”. Siç mësohet, sondazhet dhe negociatat intensive që ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe i kanë treguar se asnjë nga lëvizjet e përdorura deri tani nuk do të prodhojë efektin që kërkon.
Këtë herë, kreu i mazhorancës ndodhet në kushte krejt të tjera. Ai nuk ka më në dispozicion një lëvizje shahu që mund ta nxjerrë “mbretëreshën” nga rreziku, pra gurin që ka hapësirën më të madhe të manovrimit.
Pas shpërthimit të protestave, Edi Rama ka hyrë në një pozicion ku çdo lëvizje mund ta vendosë përballë një “shahu të zbuluar”.
Një makijazh i thjeshtë i kabinetit mund të prodhojë një efekt edhe më përvëlues se incidenti me zvarritje në Zvërnec. Shoqëria e pa atë ngjarje si një reagim arrogant të qeverisë. Tani, pritshmëria lidhet me mënyrën se si pushteti do t’i përgjigjet një pakënaqësie masive.
Shoqëria pret transformim, jo makijazh. Këtë pritshmëri e kanë, në radhë të parë, vetë socialistët, brenda të cilëve janë zgjuar disa faktorë që prej kohësh qëndronin në heshtje.
Një sondazh i kryer nga njerëz pranë qeverisë mes anëtarësisë së PS-së arriti në përfundimin se çdo importim “teknokratësh” të rinj në kabinet, ose demokratësh të pakënaqur me Sali Berishën, mund të prodhojë një efekt edhe më gërryes dhe të provokojë një rebelim të ri.
Rama ndodhet përballë një dileme shekspiriane, në kuptimin e vërtetë të fjalës: të jetë apo të mos jetë. Pakënaqësitë dhe pritshmëritë po drejtohen nga një realitet i ri, ku për herë të parë edhe brenda PS-së po mendohet e ardhmja pa mjekrën dhe atletet e bardha të “liderit global”.
Në këtë situatë, Rama, i cili punon me këshilltarë që analizojnë çdo sondazh të mundshëm, po shqyrton disa skenarë.
Skenari i parë parashikon emërimin e një zëvendëskryeministri të fortë dhe me mbështetje të gjerë brenda PS-së. Ai do të merrte peshën e një kryeministri ekzekutiv, ndërsa Rama do të merrej kryesisht me politikën e “madhe” të jashtme.
Ende nuk është përcaktuar emri i këtij zëvendëskryeministri konsensual, por negociatat po zhvillohen intensivisht për të gjetur një figurë të pranueshme. Bëhet fjalë për një person që mund të vijë nga drejtimi i një prej bashkive kryesore, ose për një ministër që Rama e ka promovuar fort gjatë kësaj periudhe dhe që ka drejtuar një bashki deri në zgjedhjet e vitit 2025.
Logjika e kësaj lëvizjeje mbështetet te ndarja e pushtetit. Rama do të tërhiqej pjesërisht në hije, ndërsa numri dy do të merrte më shumë kompetenca. Ky i fundit do të shërbente njëkohësisht si rrufepritës dhe si amortizues i pakënaqësisë popullore.
Skenari i dytë parashikon që Rama të shpallë më 25 gusht një datë të saktë për largimin e tij.
Kjo manovër mund të qetësojë përkohësisht basenin politik anti-Rama, duke i dhënë sigurinë se kryeministri do të largohet. Por ajo mund të prodhojë edhe efektin e kundërt: meqë po ikën, t’i japim dërrmën. Në këtë mënyrë, Rama mund ta ushqejë më shumë atë që po quhet gjithnjë e më shpesh “Revolucioni i Tetorit”.
Gjasat tregojnë se kreu i mazhorancës do të përdorë një version të korrigjuar të skenarit të parë, të ndërthurur me elemente të skenarit të dytë. Ai mund të paraqesë edhe pasardhësin e mundshëm.
Një skemë e tillë do të krijonte një intrigë të re politike. Palët do të merreshin më shumë me figurën e pasardhësit sesa me vetë Ramën.
Megjithatë, këtë herë është shfaqur një dukuri e re. Rama ka hasur në mungesën e gatishmërisë së disa figurave të mazhorancës për t’u bërë pjesë e një projekti të përbashkët.
Këto ditë mësohet se në rezidencën qeveritare në Dhërmi janë shfaqur figura të rëndësishme të brezit të vjetër të PS-së. Mes tyre ka edhe emra të njohur si kundërshtarë të Edi Ramës.
Në sallonet e mazhorancës po flitet gjithashtu për rikthimin e Pandeli Majkos në ekipin e ri qeveritar ose në strukturën që Rama synon ta krijojë si “Rojtarët e Besës”. Daljet e Majkos në mediat pranë Ramës gjatë këtyre ditëve janë interpretuar si sinjal për një lëvizje pas 25 gushtit.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë roli mund të marrë Majko. Ai mund të emërohet zëvendëskryeministër dhe të negociojë me kundërshtarët e majtë të Edi Ramës, kryesisht në Europë, por edhe me Vetëvendosjen. Mund të shërbejë si figurë e një qeverie kalimtare sipas një varianti të njohur, ose si pjesë e një skeme hibride.
Situata në korridoret e mazhorancës mbetet e paqartë dhe në lëvizje të vazhdueshme. Brenda PS-së kanë nisur të rikthehen edhe ëndrrat për fillimin e luftës së brendshme për fronin e “Sulltanit”./Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
