LAJME / E Hënë 10 Gusht 2026, 23:11

Noeli i vogël nuk ia doli dot, talenti i futbollit shuhet pas luftës me sëmundjen e rëndë

Djali 14 vjeçar Noel Cura i cili vuante kohët e fundit nga një sëmundje e rëndë, nuk ia doli dot duke ikur nga kjo botë.

Përpjekjet për ta mbajtur në jetë u shuan pasi kanceri në kokë ishte agresiv dhe vogëlushi u nda nga jeta duke lënë pas dhimbje e familjarëve.

Babai i të voglit, avokat Artan Cura, shkroi sonte: “Me hidhërim të thellë e me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot u nda nga jeta djali jonë i shtrenjtë Noel Cura. I paharruar qofsh Biri Im ”

Dhimbje shprehu po sonte dhe shkolla ku mësonte Noeli: “Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, mësuam lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të nxënësit tonë të klasës së VIII-të, Noel Cura.


Shkolla “Andon Xoxa” humbi sot një nga nxënësit e saj, një jetë të re që u ndërpre shumë herët, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, shokët, mësuesit dhe të gjithë komuniteti ynë shkollor.

Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe më të thella për familjen Cura.

Urojmë që kujtimi i Noelit të mbetet përherë i gjallë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën.

Prehu në paqe, Noel! Kujtimi yt do të mbetet gjithmonë në zemrat tona

Me respekt dhe dhimbje, Kolektivi i shkollës “Andon Xoxa”

Më herët, në janar 2025, Akademia e Futbollit Apolonia bëri thirrje që të mblidheshin fonde për shpëtimin e tij, kur shkroi: “Noel Cura, 13-vjeçari futbollist i Akademisë FK Apolonia, po përballet me një tumor agresiv në kokë.

Ai ka nevojë për një ndërhyrje urgjente jashtë vendit, por kostot janë të papërballueshme për familjen e tij.

Të gjithë në Klubin Apolonia jemi me Noelin dhe familjen e tij në këto çaste të vështira dhe lutemi për të.

Jemi besimplotë që Noeli do e kalojë këtë sëmundje dhe do jetë me ne përsëri.  Shërim të shpejtë Noel!


Nga lojtarët, trajnerët dhe të gjithë punonjësit e Klubit FK Apolonia!”

Pas apelit u arrit të mblidheshin paratë e nevojshme dhe Noeli u dërgua për kurim në Itali. Por agresiviteti i sëmundjes bëri që ai të kthehej në Shqipëri dhe sot ndërroi jetë. /noa.al, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE