
Ministri i Jashtëm në detyrë dhe zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se partia e tij nuk e konsideron si shkelje të Kushtetutës vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit edhe pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në një deklaratë për media, Konjufca tha se Kushtetuta ka qenë objekt interpretimesh të ndryshme gjatë proceseve politike të muajve të fundit dhe se situata aktuale nuk duhet parë si një krizë dramatike.
“Nuk mendojmë se është shkelur Kushtetuta. Kushtetuta, për shkak të këtyre momenteve dhe proceseve që i kemi kaluar prej vitit të kaluar, prej zgjedhjeve të shkurtit, ka shkuar duke u interpretuar”, deklaroi Konjufca.
Ai u ndal edhe te debati për afatin kushtetues dhe interpretimin e tij, duke theksuar se, sipas tij, ekzistojnë mendime të ndryshme edhe nga ekspertët e së drejtës kushtetuese.
“Nuk mendoj që është dramatike situata qysh po e interpreton opozita. Është pjesë e formësimit të mëtutjeshëm konstitucional të vendit tonë”, u shpreh ai.
Konjufca shtoi se kushdo që konsideron se është shkelur Kushtetuta, duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për një interpretim përfundimtar.
“Ai që mendon se po shkelet Kushtetuta, duhet t’i drejtohet Kushtetueses”, tha ai.
Duke folur për krizën politike, Konjufca theksoi se dialogu ndërmjet partive duhet të vazhdojë dhe se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do t’u drejtohet sërish me ftesë për takim PDK-së, LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas tij, vazhdimi i bisedimeve është mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte funksionalizimin e institucioneve.
Konjufca vlerësoi se çdo pasojë e situatës aktuale është më e vogël sesa organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Mendoj thjesht që mund të zgjasë më shumë se një ditë konstituimi i Kuvendit. Kurrë nuk duhet të lodhemi nga dialogu politik, edhe PDK-së, LDK-së dhe Aleancës do t’i drejtohet sërish Kurti. Çdo dëm që mund të bëhet është më i vogël se ajo që pamë në seancë herën e fundit, dhunë e ushtruar ndaj kryeministrit Kurti dhe ndaj deputetëve. Është më pak dëm se me shku në zgjedhje të reja. Ne nuk po mendojmë që po shkelet Kushtetuta”, deklaroi Konjufca.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur partitë opozitare vazhdojnë të insistojnë se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mbron qëndrimin se procesi duhet të vazhdojë përmes dialogut politik dhe arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
