LAJME / E Premte 20 Qershor 2025, 13:01

Përplasja Iran - Izrael prek "sarbatorët" e shqiptarëve, rritet ndjeshëm çmimi i naftës

Tensionet dhe bombardimet e njëpasnjëshme mes Iranit dhe Izraelit kanë filluar që të japin shenjat e para.

Përmes një artikulli, të publikuar një ditë më parë, prestigjozja “Reuters” njoftoi se çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur ndjeshëm, duke kapërcyer kështu pragun e 77 dollarëve për fuçi.

Përgjatë të enjtes, çmimet e naftës u rritën me 3%, teksa lufta një jave midis Izraelit dhe Iranit u përshkallëzua dhe pasiguria rreth përfshirjes së mundshme të SHBA-së po i mban investitorët në ankth dhe të frikësuar për një ndërprerje të furnizimit në Gjirin e Hormuz, një nga rrugët më të rëndësishme për eksportin global të naftës.

Kontrata e ardhshme e naftës së papërpunuar Brent u rrit me 2.15 dollarë, ose e përkthyer në përqindje me 2.8%, në 78.85 dollarë për fuçi. Shifra këto që vlen të theksohet se janë më të lartat që nga janari i këtij vitit.

Ndërsa, nafta e papërpunuar e West Texas Intermediate e SHBA-së u rrit me 2.06 dollarë, ose 2.7%, në 77.20 dollarë

Kjo rritje e çmimeve është reflektuar menjëherë edhe në Shqipëri, ku çmimi i naftës në pikat e karburanti është rritur ditën e sotme me 3 deri në 5 lekë për litër. Konkretisht në disa pika furnizimi, një litër naftë është duke u shitur me mbi 180 lekë.

Irani është prodhuesi i tretë më i madh midis anëtarëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, duke nxjerrë rreth 3.3 milionë fuçi në ditë naftë të papërpunuar.

Rreth 18 milionë deri në 21 milionë fuçi nafte dhe produkte nafte në ditë kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit përgjatë bregdetit jugor të Iranit dhe ekziston shqetësim i përhapur se luftimet mund të prishin flukset tregtare.

Rreziku i ndërprerjeve të mëdha të energjisë do të rritet nëse Irani ndihet i kërcënuar ekzistencialisht dhe hyrja e SHBA-së në konflikt mund të shkaktojë sulme të drejtpërdrejta ndaj anijeve cisterna dhe infrastrukturës energjetike