
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se Kosova tashmë ka një emër për President që, sipas saj, përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë.
“Prof. Dr. Bekim Sejdiu. Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës. Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij”, ka shkruar Osmani.
Në fund të reagimit të saj, Osmani ka theksuar se vendimi për zgjedhjen e Presidentit u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës, duke e cilësuar përgjegjësinë për këtë vendim si historike.
“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë. Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!”, ka përfunduar ajo
