Mediat greke u përballën me kritika të ashpra për mënyrën e pashpirt se si e trajtuan ngjarjen në transmetim të drejtpërdrejtë. Kush ishte 22 vjeçar Flamur Pisli, si u dhunua seksualisht dhe trauma që pësoi kur e refuzoi një femër
Më 28 maj 1999, Greqia përjetoi një prej episodeve më dramatike dhe të paprecedentë në historinë e saj moderne: pengmarrjen e parë të një autobusi, një ngjarje që transmetohej drejtpërdrejt në ekranet televizive dhe që përfundoi në një masakër tragjike përpara se të frymëzonte edhe kinemanë.
Ishte mëngjesi i asaj dite kur Flamur Pisli, një emigrant shqiptar 25-vjeçar, hipi në një autobus të linjës KTEL të Selanikut, në zonën Kato Sholari. Kur autobusi iu afrua qendrës së fshatit dhe ai pa se në stacion ndodheshin shumë njerëz, u ngrit nga vendi i tij, nxori armën dhe i kërkoi shoferit të ndryshonte drejtimin.
Në mes të panikut, nxori dhe hoqi siguresën e një granate dore. Brenda pak minutash, vendi u kthye në qendër të interesit të gjithë mediave greke, të cilat mbërritën në kohë rekord dhe nisën transmetimet e drejtpërdrejta.
I armatosur me granata dhe kallashnikov, Pisli kërkoi 50 milionë dhrahmi, tre kallashnikovë dhe një rrugë të sigurt për të kaluar në Shqipëri. Sipas tij, ishte viktimë e një padrejtësie nga punëdhënësi dhe autoritetet greke.
Policia greke, ende nën tronditjen e dështimit në rastin tragjik të Sorin Mateit në Athinë (ku humbi jetën Amalia Gjinaki), veproi pa përvojë dhe pa një negociator profesionist. Dorëzuan paratë dhe tre armë, të cilat Pisli i refuzoi sepse “nuk ishin të markës që kërkonte”.
Autobusi nisi rrugëtimin drejt kufirit me Shqipërinë, i shoqëruar nga forcat speciale EKAM dhe i ndjekur nga kamerat. Në një moment ndaloi edhe në shtëpinë e një ish-punëdhënësi për t’u hakmarrë, por nuk arriti qëllimin. Më pas, tentoi të shkonte në shtëpinë e një gruaje që e kishte strehuar më parë, por ajo e refuzoi ashpër.
Ndërsa koha kalonte, ai lodhej dhe nervozohej. Vazhdonte të mbante granatën pa siguresë në dorë dhe fliste me gazetarët në telefon, por edhe me pengjet, të cilëve u tregonte jetën e tij.
Në zonën e Elbasanit, autobusit iu bë pritë nga forcat speciale shqiptare. Pisli refuzoi të dorëzohej. Kur dera e autobusit u hap, forcat speciale shqiptare qëlluan për vdekje njërin prej pengjeve, 28-vjeçarin grek Jorgo Koulouri, që ngjante në fytyrë me Pislin. Më pas, vranë edhe vetë Pislin.
Ministria e Rendit Publik në Greqi akuzoi autoritetet shqiptare se nuk lejuan ndërhyrjen e forcave greke. Akuzë pati prej tyre dhe për vdekjen e pengut. Familja e Koulurit paditi autoritetet shqiptare, por hetimi u mbyll pa asnjë përgjegjësi.
Mediat greke u përballën me kritika të ashpra për mënyrën spektakolare dhe të pashpirt se si e trajtuan ngjarjen në transmetim të drejtpërdrejtë.
Flamur Pisli kishte lindur në Shqipëri në vitin 1975 dhe u vendos në Greqi së bashku me vëllain e tij më të vogël, Edin. Ky i fundit krijoi një marrëdhënie dashurie me gruan e punëdhënësit të tij, e cila mbeti shtatzënë dhe të dy u larguan fshehurazi nga fshati.
Në këtë atmosferë tensioni, Flamuri u arrestua pasi në bodrumin ku punonte u gjetën armë. Ai pretendoi se ishin vendosur aty për ta akuzuar padrejtësisht. Në burg u dhunua seksualisht dhe pas lirimit u dëbua për në Shqipëri, ku nuk u prit mirë.
Rikthehet sërish në Greqi por përballet me refuzim të ri, kësaj here nga një grua që e kishte strehuar dikur. Ndaj vendosi të rrëmbejë një autobus dhe të kthehej në Shqipëri si “hero”.
Nga realiteti në ekranin e madh
Kjo ngjarje tragjike u bë frymëzim për filmin “Omiros” të regjisorit Konstantinos Giannaris, që u shfaq në vitin 2005. Filmi rrëfen historinë e një emigranti shqiptar që merr peng një autobus në përpjekje për të dëgjuar zërin e tij, ndërkohë që gjatë rrugëtimit zbulohet se edhe të tjerët në autobus mbartin plagë dhe sekrete.
Disa nga personazhet e filmit përfshijnë:
Giannis Stankoglou – Grigoris
Minas Hatzisavvas – Oficer policie
Laertis Vasiliou – Komandant shqiptar
Manolis Afolanio – Jack (emigrant afrikan)
Filmi u nderua me dy çmime shtetërore për cilësi dhe një çmim ndërkombëtar në Vjenë.
Në fund, historia e Flamur Pislit mbetet një nga episodet më të dhimbshme dhe më të diskutueshme në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe në mënyrën se si mediat dhe autoritetet përballen me situata të jashtëzakonshme. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin , do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE