LAJME / E Mërkurë 18 Qershor 2025, 22:10

Kriza në Lindjen e Mesme, Dendias thërret mbledhje urgjente me Forcat e Armatosura/ Çfarë po ndodh në Athinë?

Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dhendias, thirri të mërkurën pasdite një mbledhje urgjente në Këshillin e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm për të vlerësuar situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe për të përgatitur një plan të përditësuar për mbrojtjen antibalistike të vendit.

Në takim morën pjesë drejtuesit më të lartë të ushtrisë greke, duke përfshirë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantët e Forcave të Armatosura.

Mbledhja zgjati më shumë se një orë dhe sipas burimeve ushtarake, u vlerësua se përditësimi i planit të mbrojtjes ajrore është i domosdoshëm për t’u përballur me çdo rrezik potencial që mund të vijë si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit.

Burime të sigurta sqaruan se Greqia po përgatitet për çdo eventualitet, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen drejtpërdrejt në përplasjen ushtarake mes Izraelit dhe Iranit.

Nga ana tjetër, kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi gjatë një konference për Financial Times se Greqia nuk do të marrë pjesë në asnjë operacion ushtarak në këtë konflikt. Ai theksoi se historia e Lindjes së Mesme ka treguar se ndërhyrjet ushtarake shpesh nuk kanë prodhuar zgjidhje afatgjata.

“Jemi të shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit. Ne besojmë se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore, por zgjidhja duhet të vijë përmes diplomacisë. BE nuk ka ndikim real në këtë çështje, vetëm Shtetet e Bashkuara mund të luajnë rol vendimtar. Shpresoj që të mos përfshihemi në një përshkallëzim që do të kishte pasoja negative ekonomike, si rritja e inflacionit apo luhatjet e tregjeve të energjisë,” tha Mitsotakis.

Athina mbetet e shqetësuar edhe për ndikimin që mund të ketë konflikti në tregtinë ndërkombëtare dhe transportin detar, sektorë kyç për ekonominë greke, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE