
Një aksident tragjik rrugor në Francë i ka marrë jetën producentit të njohur francez Nicolas Altmayer dhe partneres së tij, Mathilde Favier, drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në Dior Couture.
Sipas Le Figaro, duke iu referuar informacionit të prokurorisë së Niort, çifti humbi jetën të hënën pasdite, më 17 gusht, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion që vinte nga drejtimi i kundërt.
Vdekja e tyre ka sjellë reagime në dy prej industrive ku kishin ndërtuar karrierën: kinemanë dhe modën franceze.
Nicolas Altmayer, producenti pas filmave të njohur francezë
Altmayer, 61 vjeç dhe baba i katër fëmijëve, drejtonte së bashku me vëllanë e tij Eric kompaninë e prodhimit Mandarin.
Megjithëse qëndronte kryesisht larg vëmendjes publike, ai kishte një rol të rëndësishëm në realizimin e një sërë filmash dhe produksionesh televizive franceze. Në karrierën e tij përfshihen tituj si “Brice de Nice” dhe “OSS 117”, si dhe bashkëpunime me regjisorin François Ozon.
Ai ishte gjithashtu i përfshirë në realizimin e filmave “Patients”, “Monsieur Aznavour” dhe “La Vie scolaire”, ndërsa kishte punuar edhe në produksione të tjera si “Jour J” dhe “Chien et Chat”.
Mes projekteve të tij spikat “Saint Laurent” i Bertrand Bonello, i cili u përzgjodh si propozimi francez në garën për çmimet Oscar.
Aktiviteti i Altmayer shtrihej edhe në televizion dhe platformat streaming, me produksione si “Cœur Noir”, “Validé” dhe “La Cage”.
Mathilde Favier, një jetë mes modës dhe Dior
Mathilde Favier, 56 vjeç dhe nënë e dy fëmijëve, ishte një figurë e njohur e marrëdhënieve me publikun në industrinë franceze të modës.
Për më shumë se një dekadë, ajo drejtoi marrëdhëniet me publikun në Dior Couture, duke u marrë edhe me raportet e shtëpisë së modës me personalitete ndërkombëtare. Përpara Dior, Favier kishte kaluar 11 vite në Prada, ndërsa hapat e parë të karrierës i kishte hedhur në revistën “Glamour”.
Gjatë viteve ajo kishte punuar me emra të njohur të kinemasë, mes tyre Michelle Yeoh, Charlize Theron, Jennifer Lawrence dhe Anya Taylor-Joy.
Favier ishte gjithashtu autore e librit “Mathilde à Paris” dhe themeluese e organizatës “Esthétique & Cancer”, një nismë e krijuar për të mbështetur personat që përballen me kancerin. Ajo kishte folur publikisht edhe për përballjen e saj me kancerin e gjirit.
Pas lajmit për vdekjen e saj, Delphine Arnault shprehu trishtimin për humbjen e Favier, duke e përshkruar atë si një person të jashtëzakonshëm dhe duke vlerësuar energjinë, optimizmin, guximin dhe kontributin e saj në Dior, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
