LAJME / E Martë 27 Shkurt 2024, 14:02

Tre fëmijët i bënë gropën Pëllumbit, flet shoku: Hygertën e donte më shumë, djali bënte sikur i kishte humbur babi!

Shoku i Pëllumb Metës, 50-vjeçarit të vrarë nga fëmijët tregon se i ndjeri kishte dy ditë që nuk shkonte në punë, dhe se një prej djemve ishte paraqitur në vendin e punës, për t’u interesuar për vendndodhjen e babait.

Shoku i të ndjerit ka rrëfyer më tej, se djali ka denoncuar në polici zhdukjen e të atit, ndërsa thekson se fill pas gjetjes së makinës, patrulla e policisë ka shkuar në Shënavlash.

“E kam pasur shok, punoja me të. Me mua ka shkuar shumë mirë. Ndonjë llaf të keq, ndonjë gjë këtej nga puna, kurrë.

Shkonte me të gjithë njerëzit mirë. S’më kishte thënë që kishte probleme në familje. Ngulmoja që nuk është e vërtetë, se ka qenë njeri i sëmurë dhe ishte pa vetëdije, kshu, para 10-12 vitesh.

U kurua dhe s’u përsërit më. Sikur binte pa ndjenja dhe ikte pa vetëdije, por jo i dhunshëm, kurrë. Për mua ishte i mirë. Për nga familja nuk e di”, tha shoku i Pëllumb Metës.

Ai ka rrëfyer më tej për mikrofonin e RTSH-së, se Pëllumbi nuk i ka shprehur asnjëherë problemet familjare, ndërsa theksoi se vajzën Hygerta, e donte më shumë nga të gjithë fëmijët.

“Për vajzën s’më kishte shprehur asgjë, në mëngjes e çonte te autobusët, në drekë e priste e merrte. As nuk më thoshte mua problem familjare. Kishte 2 ditë që s’vinte në punë. Pas dy ditësh erdhi djali e kërkoi, unë i thashë: ne po e kërkojmë te juve ku është?

Djali tha nuk është, kujtonim si ngahera që vjen në punë dhe pastaj tha do shkoj në polici. Vajti në polici e denoncoi, u gjend makina. Erdhi patrulla e policisë, më thanë kështu-kështu, vajta, na pyeti drejtori, u përgjigja dhe ika.

Unë ngulmoja se s’ka ndonjë gjë. Po çuditemi. Kjo na tromaks shumë. Ku na binte mendja gjë, po habitemi.

Unë e di që e donte më shumë këtë vajzë. Ai e kishte në universitet vajzën, viti i parë sivjet dhe më duket se mësonte, ishte mirë me mësime”, rrëfeu ai.

Pak më parë, Gjykata e Durrësit vendosi arrest me burg për tre fëmijët e familjes Meta, të cilët akuzohen se vranë babanë e tyre dhe e groposën në kasollen e bagëtive.

Ngjarja ndodhi në fshatin Shënavlash të Durrësit më 10 shkurt dhe trupi u zbulua pas 13 ditësh. Sipas policisë krimi i paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhes e motivi i vrasjes kanë qenë debatet familjare që kanë pasur dhe nxitja e babait që vajza e tij të fejohej me një person kundër dëshirës së saj.