
Njoftimi i Shoqatës Helenike të Hematologjisë pas vdekjes së papritur të këngëtarit Giorgos Mazonakis ka rikthyer në vëmendje debatin mbi përdorimin e të ashtuquajturave terapi alternative dhe trajtimeve të paregjistruara apo të pacertifikuara shkencërisht.
Me këtë rast, hematologu, Dr. Elias Pessach, thekson se “mjekësia nuk është mirëqenie” dhe u bën thirrje qytetarëve të tregohen veçanërisht të kujdesshëm përpara se t’u nënshtrohen procedurave të tilla.
Në njoftimin e saj, Shoqata Helenike e Hematologjisë shprehet se vdekja e papritur e Giorgos Mazonakis ka rikthyer në plan të parë situatën e pakontrolluar në fushën e të ashtuquajturave terapi alternative.
Sipas të dhënave të bëra publike deri tani, ngjarja lidhet me një klinikë private të quajtur “Klinika e Qelizave Staminale”.
Shoqata sqaron se qelizat staminale hematopoietike, pra qelizat primitive që prodhojnë elementët e gjakut, kanë aftësinë të rigjenerojnë vazhdimisht gjakun. Ato përdoren në kushte të veçanta spitalore për transplantet e palcës së kockave, të cilat hematologët i aplikojnë te pacientët me leuçemi dhe sëmundje të tjera hematologjike.
Sipas Shoqatës, këto qeliza rigjenerojnë ekskluzivisht qelizat e gjakut dhe nuk rigjenerojnë inde të tjera të organizmit. Çdo përdorim i tyre për qëllime të tjera, theksohet në njoftim, nuk është i dokumentuar shkencërisht dhe mund të jetë potencialisht i rrezikshëm.
Po ashtu, bazuar në publikimet dhe deklaratat e mjekëve, raportohet se Giorgos Mazonakis kishte shkuar në këtë klinikë për t’iu nënshtruar plazmaferezës.
Plazmafereza është një procedurë terapeutike që kryhet me pajisje të posaçme, në kushte spitalore dhe nga personel i specializuar. Ajo përdoret kryesisht nga hematologët dhe nefrologët për heqjen e antitrupave patologjikë nga gjaku, në trajtimin e disa sëmundjeve autoimune.
Procedura mund të shkaktojë efekte anësore, kryesisht në sistemin kardiovaskular, ku ndër më të zakonshmet janë ulja e tensionit të gjakut dhe çrregullimet e ritmit të zemrës.
Shoqata paralajmëron se në reklamimet e të ashtuquajturës “mjekësi alternative”, plazmafereza paraqitet si një mënyrë për “detoksifikimin” e organizmit, “mirëqenien” dhe “jetëgjatësinë”. Sipas saj, këto pretendime nuk janë mbështetur nga studimet klinike.
Shoqata Helenike e Hematologjisë thotë se që në vitin 2019 i kishte drejtuar një letër Organizatës Kombëtare të Barnave (EOF), Organizatës Kombëtare të Transplanteve (EOM) dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke paralajmëruar për rreziqet e ofrimit dhe reklamimit të terapive qelizore të paprovuara ose të pamjaftueshme nga pikëpamja shkencore.
Në atë letër, Shoqata kërkonte hetimin e menjëhershëm të strukturave që ofrojnë terapi qelizore të paautorizuara, forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe informimin zyrtar të publikut për rreziqet e mundshme.
Shoqata përsërit tashmë thirrjen që shteti, përmes Organizatës Kombëtare të Barnave, të kërkojë prova të qarta për bazën shkencore dhe dokumentimin e trajtimeve të reklamuara si “rigjeneruese”.
Njëkohësisht, kërkohet që shoqatat mjekësore që licencojnë klinikat të kontrollojnë kualifikimin profesional dhe bazën shkencore të aplikantëve, si dhe të monitorojnë aktivitetin e anëtarëve të tyre.
Edhe shoqatat shkencore, sipas njoftimit, duhet të publikojnë në faqet e tyre zyrtare qëndrimin shkencor për trajtimet që reklamohen si “mrekulli” apo si zgjidhje për një gamë të gjerë problemesh shëndetësore.
Në fund, Shoqata u bën thirrje qytetarëve të tregohen skeptikë dhe të kërkojnë informacion nga burime institucionale dhe jo nga materialet reklamuese.
Analiza e hematologut Dr. Elias Pessach
Me rastin e vdekjes së papritur të Giorgos Mazonakis, dhe pa paragjykuar shkakun e vdekjes apo ndonjë përgjegjësi, e cila do të përcaktohet nga hetimi zyrtar, hematologu Dr. Elias Pessach thotë se është koha të hapet një debat për mënyrën se si ofrohen dhe reklamohen disa prej këtyre procedurave.
Sipas tij, vitet e fundit janë shtuar qendrat që ofrojnë trajtime të lidhura me mezoterapinë, kundër plakjes, jetëgjatësinë, “detoksifikimin” dhe mirëqenien.
“Fjalë mbresëlënëse në anglisht, ambiente luksoze dhe premtime për ‘pastrimin’ e gjakut, forcimin e imunitetit, rigjenerimin e qelizave dhe rininë e përjetshme”, shkruan ai, duke theksuar nevojën për të bërë dallimin mes procedurave të ndryshme mjekësore.
Sipas Dr. Pessach, plazmafereza terapeutike nuk është një procedurë “detoksifikimi”. Ajo është një trajtim serioz që kryhet jashtë trupit: gjaku kalon nëpër një pajisje të posaçme, plazma hiqet dhe qelizat e gjakut i rikthehen pacientit së bashku me një lëng zëvendësues.
Procedura përdoret në disa sëmundje të rënda hematologjike, neurologjike dhe autoimune. Ajo mund të shkaktojë ulje të tensionit të gjakut, ulje të kalciumit në gjak, reaksione alergjike ose aritmi dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm.
Dr. Pessach bën gjithashtu dallimin mes plazmaferezës dhe PRP-së.
PRP-ja përfshin marrjen e një sasie të vogël gjaku nga vetë personi, centrifugimin e tij dhe, zakonisht, injektimin lokal të plazmës së pasur me trombocite. Sipas tij, PRP-ja nuk është plazmaferezë dhe nuk është terapi me qeliza staminale.
Edhe qelizat staminale, thekson hematologu, nuk janë një “eliksir rinie”.
Ekzistojnë trajtime reale dhe që shpëtojnë jetë me qeliza staminale hematopoietike, siç janë transplantet për pacientët me leuçemi dhe sëmundje të tjera të rënda. Por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se çdo PRP apo koncentrat gjaku i përshkruar si “i pasur me qeliza CD34+” është një trajtim i miratuar për plakjen, demencën, sëmundjet e zemrës apo “forcimin e organizmit”.
“Plazmaferezë është një gjë, PRP-ja një tjetër, koncentrati i qelizave një tjetër dhe transplanti i qelizave staminale një tjetër”, thekson ai.
Sipas Dr. Pessach, këto terma nuk janë të këmbyeshëm dhe nuk duhet të përdoren për të krijuar përshtypjen e një trajtimi më të avancuar apo për të mashtruar pacientët.
Ai thekson gjithashtu se një qendër nuk bëhet klinikë mjekësore vetëm sepse përdor fjalën “klinikë” në emërtimin e saj.
Procedurat që kërkojnë licencë të posaçme, infrastrukturë të përshtatshme, personel të trajnuar, monitorim të vazhdueshëm dhe pajisje për reanimim, sipas tij, nuk mund të kryhen kudo dhe nga kushdo.
“Asnjë person nuk mund të kryejë procedura mjekësore vetëm sepse ka ndjekur një seminar”, thotë hematologu, duke shtuar se profesionistë të ndryshëm të shëndetësisë kanë kompetenca të përcaktuara qartë nga ligji.
“Edhe një diplomë mjekësore nuk është një çek i bardhë. Unë jam hematolog”, thekson ai.
Pessach sjell si shembull faktin se një pacient me gurë në veshka apo që ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në prostatë do t’i drejtohej një urologu dhe jo një mjeku të një specialiteti tjetër vetëm sepse ai është mjek.
Në të njëjtën mënyrë, shton ai, nuk mjafton që dikush të jetë mjek për të blerë një pajisje dhe të nisë të reklamojë plazmaferezë, “qeliza staminale”, ekzosome apo “serume rinie” intravenoze, pa trajnimin, dokumentacionin dhe licencimin e duhur.
Çdo procedurë invazive ose intravenoze, sipas tij, duhet të ketë një indikacion të qartë mjekësor, të kryhet pas marrjes së historisë së plotë të pacientit dhe pëlqimit të informuar, ndërsa përgatitjet e përdorura duhet të jenë të gjurmueshme. Gjithashtu, struktura duhet të ketë mundësi të trajtojë menjëherë komplikacione të rënda, përfshirë reaksionet anafilaktike apo arrestin kardiak.
Para se t’i nënshtrohen një procedure të tillë, qytetarët, sipas Dr. Pessach, duhet të bëjnë disa pyetje:
Kush do ta kryejë procedurën dhe çfarë specializimi ka?
A është e licencuar struktura?
Çfarë procedure apo produkti do të përdoret saktësisht?
A është i miratuar për qëllimin për të cilin propozohet?
Kush do të kujdeset për pacientin në rast të një komplikacioni serioz?
“Nëse nuk ka përgjigje të qarta, largohemi”, thekson Pessach.
Në analizën e tij, hematologu ngre gjithashtu pyetjen mbi mënyrën se si kontrollohen këto shërbime në Greqi.
Sipas tij, mjafton një kërkim i thjeshtë në internet me termat “PRP”, “qeliza staminale”, “serume”, “detox” apo “ëellness” për të gjetur mjekë të specialiteteve të ndryshme, dentistë, profesionistë të estetikës dhe qendra që reklamojnë një gamë të gjerë trajtimesh.
Kjo, thekson ai, nuk do të thotë domosdoshmërisht se çdo aktivitet është i paligjshëm. Por ngre pyetjen se kush kontrollon se çfarë procedure kryhet, nga kush, në çfarë strukture, me çfarë licence dhe mbi çfarë baze shkencore.
Në fund, Dr. Pessach kërkon krijimin e një regjistri publik të strukturave të licencuara, inspektime të papritura, kontroll të reklamave mjekësore në internet dhe vendosjen e sanksioneve reale kur konstatohen shkelje.
“Kontrolli shtetëror nuk mund të zgjohet vetëm kur dikush vdes. Mjekësia nuk është mirëqenie. Shkenca nuk është marketing. Dhe jeta njerëzore nuk është një fushë eksperimentimi e pakontrolluar”, përfundon hematologu./Top Channel
