
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i është bashkuar “Marshit për Liri” që po mbahet në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Gjatë pjesëmarrjes në marsh, Rrustemi ka folur edhe për qëndrimin e tij ndaj Dhomave të Specializuara, duke përsëritur kritikat për mënyrën se si ishte votuar themelimi i tyre.
Sipas deputetit të VV-së, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar, i dëmshëm dhe i padrejtë.
Megjithatë, në prag të vendimit të shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, Rrustemi ka thënë se ajo që ka rëndësi është që vendimi ndaj tyre të jetë lirues.
Prania e tij në marsh ka marrë vëmendje edhe për shkak të qëndrimeve të vazhdueshme të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Speciale ndër vite.
Rrustemi është pyetur nga gazetarët edhe për mungesën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në këtë organizim.
I pyetur konkretisht se përse Kurti nuk është i pranishëm në “Marshin për Liri”, deputeti ka dhënë një përgjigje të shkurtër.
“Nuk e di”, ka deklaruar Rrustemi.
Ai nuk ka dhënë ndonjë sqarim tjetër lidhur me arsyen e mungesës së Kurtit dhe as nëse lideri i VV-së kishte planifikuar të merrte pjesë në organizim.
“Marshi për Liri” po mbahet në Prishtinë në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ndërsa pjesëmarrësit po kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Katër ish-krerët janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tyre, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te vendimi i shkallës së parë që pritet të shpallet në Hagë.
