LAJME / E Shtunë 12 Shtator 2026, 20:08

“Revoltë” në Turqi kundër 'Shtetit Bektashi' të Ramës, kërkohet ndërhyja e Erdoganit!

Kundërshtimet në Turqi ndaj projektit të Edi Ramës për krijimin e një “Shteti Bektashi” në Tiranë po shtohen. Pas forumit të zhvilluar në Hac?bekta? dhe deklaratës që sfidoi projektin shqiptar, teologu Cemil K?l?ç kërkon hapa më të fortë nga shteti turk, mosnjohjen e Baba Mondit dhe shpalljen e Hac?bekta?it si qendër të bektashizmit botëror.

Vijon “revolta” në Turqi kundër planit të kryeministrit Edi Rama për krijimin e një “Shteti Bektashi” në Tiranë. Vetëm pak ditë pas sinjaleve të forta që erdhën nga forumi i zhvilluar në Hac?bekta?, zëra të tjerë turq po kërkojnë që Ankaraja të mbajë një qëndrim edhe më të prerë ndaj projektit.

Një nga reagimet më të forta ka ardhur nga teologu dhe shkrimtari turk Cemil K?l?ç. Në një postim në platformën X, ai kërkon që Turqia të ndërmarrë hapa konkretë kundër krijimit të shtetit të propozuar në Shqipëri dhe të formalizojë njëkohësisht pozicionin e Hac?bekta?it si qendër e bektashizmit.

“Turqia duhet të ndërmarrë hapa më efektivë kundër përpjekjeve për të krijuar një shtet bektashi në Shqipëri. Turqia duhet ta njohë zyrtarisht bektashizmin dhe, për shkak të kushteve të reja që janë krijuar, të shpallë distriktin Hac?bekta? si qendrën e bektashizmit botëror. Bektashizmi duhet të mbështetet në Turqi”, shkruan K?l?ç.

Kërkesat e tij shkojnë më tej. K?l?ç kërkon që shteti turk të njohë një Dedebaba në Turqi, ta përfshijë atë në protokollin shtetëror dhe t’i japë Hac?bekta?it një status të posaçëm fetar.


“Dedebaba legjitim bektashi në Turqi duhet të njihet nga shteti dhe të përfshihet në protokollin shtetëror. Distrikti Hac?bekta? duhet të vendoset nën një strukturë që është nën kontrollin e shtetit tonë, por autonome në aspektin e besimit”, vijon ai.

Por pjesa më e drejtpërdrejtë e reagimit prek Shqipërinë dhe drejtuesin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, Baba Mondin. K?l?ç kërkon hapur refuzimin e projektit shqiptar dhe mosnjohjen e Baba Mondit si udhëheqës botëror të bektashinjve.

“Formacioni në Shqipëri duhet të refuzohet. Duhet të shpallet se Baba Mondi nuk është Dedebaba. Vendimet në deklaratën përfundimtare të takimit të baballarëve bektashinj, të publikuar javën e kaluar në Hac?bekta?, duhet të zbatohen urgjentisht. Duhet të theksohet në nivel universal se bektashizmi është një urdhër turk”, shkruan Cemil K?l?ç.

Reagimi vjen pas forumit “Bektashizmi në Anadoll dhe Ballkan nga historia deri në ditët e sotme”, të zhvilluar në Hac?bekta?, ku përfaqësues të traditës bektashiane nga Anadolli dhe Ballkani diskutuan të ardhmen e këtij komuniteti. Siç raportoi “Pamfleti” pak ditë më parë, deklarata përfundimtare e forumit solli një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj projektit të Tiranës dhe pretendimit për ta vendosur qendrën botërore të bektashizmit në Shqipëri.

Por reagimi i Cemil K?l?ç nuk është i izoluar. Kritika të forta ndaj projektit të Ramës janë shfaqur edhe në mediat turke.

Në një analizë të publikuar në “Haber De?er”, me titull “Ëndrra e Vatikanit në Tiranë, realitetet në Hac?bekta?”, autori Soner Erdo?an e vendos hapur përballë projektin e shpallur nga Rama me traditën historike dhe shpirtërore të bektashizmit.

Erdo?an kujton se Rama njoftoi vitin e kaluar synimin për krijimin në Tiranë të një shteti bektashi të ngjashëm me Vatikanin dhe ngre pikëpyetje mbi motivet e një projekti të tillë. Sipas tij, iniciativa nuk mund të shihet vetëm si çështje fetare apo kulturore, pasi prek edhe ekuilibra politikë e ndërkombëtarë në Ballkan.

Autori e formulon kundërshtimin përmes një pyetjeje të drejtpërdrejtë: çfarë përfaqëson vendosja e një tradite që për shekuj nuk ka synuar të krijojë shtet brenda kufijve të një entiteti me pasaportë? Përgjigjja e tij është kategorike: “Nuk përfaqëson thelbin e bektashizmit.”

Sipas Erdo?an, bektashizmi nuk është ndërtuar historikisht si projekt politik apo si qendër pushteti tokësor, por si një traditë shpirtërore e përqendruar te njeriu. Për këtë arsye, ai paralajmëron se futja e tij brenda kufijve të një projekti shtetëror rrezikon ta shkëpusë nga konteksti historik dhe shpirtëror.

“Ta burgosësh këtë botëkuptim brenda kufijve të një projekti shtetëror sjell me vete rrezikun e shkëputjes së tij nga konteksti historik dhe shpirtëror”, argumenton Erdo?an, i cili kritikon edhe përpjekjet për ta ripërcaktuar bektashizmin ballkanik përmes projekteve të sotme politike.

Për autorin turk, përgjigjja ndaj projektit që vjen nga Tirana është dhënë pikërisht në Hac?bekta?. Ai vë përballë idenë e krijimit të kufijve të një shteti të ri dhe takimin e përfaqësuesve bektashinj nga Anadolli e Ballkani në vendin që Turqia e konsideron qendër të kujtesës së kësaj tradite. /Pamfleti