
Rasti i një adoleshenteje afgane, e cila raportohet se ka kaluar 21 muaj në një burg të kontrolluar nga talebanët pasi kundërshtoi martesën me një komandant lokal, ka shkaktuar reagime të forta mes aktivistëve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e grave.
Në qendër të çështjes është Bibi Sediqa, sot 17 vjeç. Sipas raportimeve të mediave afgane dhe Shoqatës Revolucionare të Grave të Afganistanit (RAWA), ajo u burgos në moshën 14-vjeçare, pasi nuk pranoi të martohej me Maulavi Khodaynazar, një komandant rreth 70 vjeç nga provinca Badghis.
Historia e saj dyshohet se kishte nisur disa vite më herët. Kur Bibi ishte vetëm 12 vjeçe, ajo raportohet se u dërgua të jetonte në shtëpinë e komandantit. Shkak për këtë dyshohet se ishte bërë një borxh i babait të saj ndaj Khodaynazarit.
Sipas burimeve që kanë denoncuar rastin, komandanti më pas kërkoi të martohej me vajzën. Familja pretendohet se është përballur me kërcënime dhe presione për të pranuar martesën, por Bibi nuk ka ndryshuar qëndrim.
Çështja përfundoi përpara drejtësisë së kontrolluar nga talebanët. Një gjykatë raportohet se kishte urdhëruar fillimisht lirimin e adoleshentes, por vendimi nuk solli përfundimin e çështjes.
Khodaynazar dyshohet se ndërhyri pranë një gjyqtari në Badghis, duke bërë të mundur që dosja të transferohej për shqyrtim në një tjetër gjykatë.
Situata e 17-vjeçares është bërë edhe më shqetësuese pas pretendimeve për trajtimin e saj gjatë periudhës së paraburgimit. Burime të cituara nga RAWA pretendojnë se vajza është torturuar dhe është vendosur nën presion për të ndryshuar vendimin e saj dhe për të pranuar martesën.
Periudha e gjatë e izolimit dhe trajtimi i pretenduar në burg raportohet se kanë lënë pasoja të rënda në gjendjen e saj psikologjike.
Situata ka ndikuar edhe te familjarët e adoleshentes. Nëna e saj raportohet se ka shfaqur probleme serioze shëndetësore gjatë kohës që vajza ka qëndruar e ndaluar.
Së fundmi, autoritetet talebane raportohet se kanë hedhur në tryezë një propozim të pazakontë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Sipas tij, Bibi do të martohej me komandantin për një periudhë prej tre ditësh.
Familjarët e saj thonë se, pavarësisht diskutimeve, nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret që do t’i jepte fund çështjes. Ata pretendojnë gjithashtu se nuk është ngritur një strukturë e pavarur për të hetuar mënyrën se si është trajtuar adoleshentja.
Historia e Bibi Sediqës ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes situatën e vajzave afgane dhe fenomenin e martesave të detyruara, veçanërisht pas rikthimit të talebanëve në pushtet në gusht të vitit 2021.
Një nga praktikat tradicionale të denoncuara prej vitesh në Afganistan njihet me emrin “baad”. Nëpërmjet saj, vajzat mund t’u jepen familjeve të tjera si mënyrë për të shlyer borxhe ose për t’i dhënë fund konflikteve mes familjeve.
Praktika ishte ndaluar ligjërisht në Afganistan që në vitin 2009. Megjithatë, organizatat dhe aktivistët për të drejtat e grave pretendojnë se raste të tilla vazhdojnë të shfaqen në disa pjesë të vendit.
Rasti vjen në një kohë kur situata e grave afgane vazhdon të jetë objekt kritikash ndërkombëtare. Që prej marrjes së pushtetit nga talebanët, kufizimet ndaj grave dhe vajzave janë shtrirë në një sërë aspektesh të jetës së përditshme, nga arsimimi dhe punësimi deri te liria e lëvizjes.
Aktivistë ndërkombëtarë kanë kërkuar që vendet që mbajnë kontakte me autoritetet talebane të përdorin ndikimin e tyre për të kërkuar ndryshimin e këtyre politikave. Baronesha britanike Helena Kennedy, e njohur për angazhimin e saj në çështjet e të drejtave të njeriut, e ka cilësuar situatën e grave në Afganistan si një formë të “aparteidit gjinor”.
Ndërsa talebanët vijojnë të kontrollojnë Afganistanin, trajtimi i grave dhe vajzave mbetet një nga çështjet më të kritikuara nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Rasti i Bibi Sediqës është kthyer në një tjetër shembull të përdorur nga aktivistët për të kërkuar vëmendje dhe presion më të madh ndërkombëtar ndaj autoriteteve afgane, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
