
Qeveria e Maqedonisë së Veriut miraton Planin Operativ 2026 për punësim – mbi 40 milionë euro mbështetje
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar në mbledhjen e fundit Planin Operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2026, me një buxhet prej mbi 2.4 miliardë denarësh, respektivisht mbi 40 milionë euro.
Planin e prezantuan në një konferencë për media ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, dhe drejtori i Agjencisë për Punësim, Adnan Ejup.
Sipas autoriteteve, ky plan pritet të përfshijë mbi 10.000 qytetarë dhe synon krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e të rinjve, zhvillimin e ndërmarrësisë dhe përfshirjen e grupeve më të cenueshme në tregun e punës.
Ministri Durmishi theksoi se plani përfaqëson një nga politikat më të rëndësishme ekonomike dhe sociale të qeverisë, duke u fokusuar në përmirësimin e standardit të jetesës përmes mundësive të reja të punësimit.
Një nga masat kryesore të planit është mbështetja e vetëpunësimit dhe sipërmarrjes, ku mbi 2.000 persona do të përfitojnë nga grante për hapjen e bizneseve të reja. Mbështetja financiare arrin deri në 615.000 denarë për individë, ndërsa për bashkim të disa përfituesve në kompani të përbashkëta mund të arrijë deri në 1.230.000 denarë.
Në plan përfshihen gjithashtu programe për praktikantë, trajnime për profesione deficitare, punë publike, ekonomi të kujdesit dhe shtesa për të rinjtë.
Gjithashtu janë paraparë edhe masa të reja, përfshirë trajnime për zjarrfikës, vlerësim të kualifikimeve profesionale dhe programe për sektorin e transportit dhe automjeteve të rënda.
Autoritetet theksojnë se me këtë plan, qeveria vazhdon politikat aktive për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
