
Detaje të reja janë bërë të ditura për atentatin me armë zjarri të regjistruar në qendër të Sarandës, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj, i njohur edhe si “Tani Ruzhdiut”, njofton JOQ Albania.
Myrtaj u qëllua në mes të ditës, ndërsa nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Xhevdet Skëndaj, një kalimtar që ndodhej rastësisht në zonë.
Sipas të dhënave paraprake, në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor. Pas të shtënave, ata janë larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Emri i Artan Myrtajt ishte përmendur më herët edhe në lidhje me një tjetër ngjarje me armë zjarri në Sarandë. Bëhet fjalë për plagosjen e Ernest Lamës dhe Gëzim Hajdarajt më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të qytetit.
Për atë ngjarje, Ramadan Zoto ishte identifikuar si autori i dyshuar i plagosjes, ndërsa Artan Myrtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj dyshoheshin se e kishin ndihmuar gjatë ngjarjes dhe largimit.
Një tjetër detaj që del pas atentatit të fundit është se 44-vjeçari mësohet se sapo kishte dalë nga burgu.
Hetuesit po punojnë tashmë për të rindërtuar lëvizjet e Myrtajt përpara atentatit dhe për të përcaktuar motivin. Mes pistave që po verifikohen është edhe mundësia që ngjarja të ketë lidhje me të kaluarën e viktimës, por motivi mbetet ende për t’u përcaktuar nga hetimi.
Ndërkohë, Xhevdet Skëndaj, i cili u kap nga të shtënat teksa ndodhej rastësisht pranë vendit të atentatit, ka mbetur i plagosur. Policia vijon kërkimet për dy personat e dyshuar se kryen sulmin.
