LAJME / E Diel 20 Shtator 2026, 12:12

Njihej si “Tani Ruzhdiut”, atentati për motive hakmarrjeje pas plagosjes së dy personave

44-vjeçari Artan Myrtaj, i njohur në Sarandë me nofkën “Tani Ruzhdiut”, u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e kësaj të diele në qendër të qytetit.

Myrtaj u qëllua nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra. Gjatë atentatit mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Xhevdet Skëndaj, i cili ishte duke pritur për punë dhe u godit nga një plumb rikoshetë.

Sipas të dhënave të bëra publike, Myrtaj kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe rezultonte i përfshirë në një ngjarje të rëndë të ndodhur më 17 korrik 2025 në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, të dy nga Kamza.

Autor i plagosjes së tyre ishte Ramadan Zoto, ndërsa Artan Myrtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj dyshohet se e ndihmuan Zoton gjatë ngjarjes dhe arratisjes.

Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë u shënuan edhe episode të tjera që, sipas të dhënave të hetimit, lidhen me një sagë hakmarrjeje. Babai i Klaus Jaçajt, Isuf Jaçaj, u vra me tritol, ndërsa më pas u shënua edhe një rast i shkatërrimit të pronës së Ramadan Zotos.

Aktualisht, Ramadan Zoto ndodhet në burg për plagosjen e Lamës dhe Hajdarajt. Myrtaj dhe Klaus Jaçaj, të akuzuar për “Përkrahje të autorit të krimit”, ishin liruar para pak kohësh, ndërsa Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim.

Myrtaj ishte dënuar më herët edhe për “vjedhje”, ndërsa sipas burimeve njihej gjithashtu si përdorues i lëndëve narkotike.

Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit.