LAJME / E Diel 20 Shtator 2026, 12:12

“Gjyshja ka vd*kur”/ Detaje nga vr*sja në Tiranë, nipi telefonoi policinë pasi 68-vjeçari g*diti bashkëshorten!

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Lumturi Patushit në Tiranë, për të cilën dyshohet bashkëshorti i saj, 68-vjeçari Hysni Patushi.

“Gjyshja ka vdekur”. Ishte kjo telefonata e mbërritur në sallën operative të Policisë së Tiranës, pas së cilës efektivët u nisën menjëherë drejt një banese në zonën e Zogut të Zi.

Kur mbërritën në adresën e dhënë nga telefonuesi, efektivët gjetën të vrarë me thikë një grua, e cila u identifikua më pas si 58-vjeçarja Lumturi Patushi.

Personi që njoftoi Policinë ishte nipi i saj 14-vjeçar. Sipas raportimeve, ai dhe vëllai i tij 8-vjeçar ishin të pranishëm kur gjyshi i tyre dyshohet se vrau gjyshen.

14-vjeçari u ka treguar hetuesve se Hysni Patushi e goditi bashkëshorten pas një debati të ashpër mes tyre. Pas ngjarjes, 68-vjeçari dyshohet se u largua me shpejtësi nga banesa dhe, rreth 200 metra larg pallatit, hodhi thikën që dyshohet se kishte përdorur në krim, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Më pas, Hysni Patushi u largua nga zona dhe shkoi në banesën e një të afërmi të tij në Kamzë. Ky i fundit njoftoi Policinë se 68-vjeçari ndodhej në banesën e tij, duke bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit.

Sipas të dhënave të raportuara, Patushi u ka thënë hetuesve se konflikti me bashkëshorten kishte lindur për shkak se ajo qëndronte te vajza e tyre dhe kujdesej për nipërit, ndërsa ai jetonte vetëm.

Burime nga Policia bëjnë të ditur se Hysni Patushi ishte arrestuar edhe më parë. Në vitin 2017, ai ishte arrestuar nën akuzën e dhunës në familje ndaj bashkëshortes së tij.

Ndaj 68-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare. Hysni Patushi pritet të dalë të hënën para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë.