LAJME / E Diel 20 Shtator 2026, 11:11

Tani i Ruzhdiut

Sarandë/Informacion paraprak Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe të Gjirokastrës”, njoftoi Policia.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave, administrimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Menjëherë pas ngjarjes, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i atentatit, ndërsa policia rrethoi zonën dhe nisi mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në identifikimin e tyre. Në fokus të hetimeve janë edhe kamerat e sigurisë së bizneseve dhe objekteve përreth, ndërsa grupi hetimor po punon për të rindërtuar lëvizjet e autorëve para dhe pas ekzekutimit. Për momentin, motivi i atentatit nuk është bërë i ditur zyrtarisht, ndërsa policia po heton në disa pista për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e sulmit.

Artan Myrtaj, i njohur ndryshe edhe me nofkën “Tani Ruzhdiut”, nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare dhe rezultonte i përfshirë më herët në ngjarje kriminale. Vetëm rreth një vit më parë, emri i tij doli në një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur në Sarandë, ku dy persona Ernest Lamaj dhe Gëzim Hajdaraj, mbetën të plagosur me armë zjarri pas një konflikti që lidhej me një sipërfaqe toke. Në atë kohë, policia e shpalli Murtajn në kërkim dhe ai u arrestua disa ditë më vonë në kuadër të hetimeve për ngjarjen.

Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, përplasja kishte nisur pas një konflikti mes disa personave, ndërsa hetuesit dyshuan se pas përplasjes fshihej një konflikt për pronësinë ose përdorimin e një sipërfaqeje toke në zonën bregdetare të Sarandës. Për këtë ngjarje, policia shpalli në kërkim disa persona dhe vijoi hetimet për të përcaktuar rolin e secilit prej tyre.

Më herët, Artan Myrtaj kishte pasur edhe probleme të tjera me drejtësinë, ndërsa rezultonte i dënuar për vjedhje. Sipas të dhënave të hetimit të bëra publike në raportimet e mëparshme, ai njihej gjithashtu si përdorues i lëndëve narkotike.