LAJME / E Enjte 17 Shtator 2026, 21:09

Pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, Haga nis procedurën për…

Vetëm një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nisur procedurën që lidhet me zhdëmtimin e viktimave në këtë çështje gjyqësore.

Sipas urdhrit të Trupit Gjykues II, kërkesat për zhdëmtim pritet të trajtohen nga vetë Dhomat e Specializuara dhe jo përmes padive civile në gjykatat e Kosovës, nëse Mbrojtja nuk paraqet kundërshtime ndaj kësaj procedure.

Trupi Gjykues ka argumentuar se gjykatat civile në Kosovë nuk përbëjnë një rrugë mjaftueshëm “efektive dhe realiste” për viktimat e këtij rasti. Një prej elementeve të marra në konsideratë është edhe ruajtja e masave mbrojtëse, pasi viktimave pjesëmarrëse u është garantuar anonimiteti ndaj publikut.

Procedura megjithatë nuk është përfundimtare. Mbrojtja ka afat deri më 22 shtator për të paraqitur kundërshtimet e saj. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Dhomat e Specializuara do të vijojnë me shqyrtimin e çështjes së zhdëmtimit.

Gjykata ka përcaktuar edhe afatet e tjera procedurale. Mbrojtja e Viktimave duhet të njoftojë deri më 22 shtator për ndryshime të mundshme në provat që synon të paraqesë, ndërsa raportet e ekspertëve dhe materialet e tjera duhet të dorëzohen deri më 7 tetor.

Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara parashikon se, pas një vendimi fajësie, trupi gjykues mund të nxjerrë një urdhër për zhdëmtimin e viktimave, individualisht ose kolektivisht. Kjo do të thotë se hapja e kësaj faze nuk përcakton ende shumën apo formën konkrete të kompensimit që mund të vendoset.

Procedura vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë të shpallur më 16 shtator, ndërsa çështja gjyqësore mund të vijojë edhe në fazën e apelit.