
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka zbuluar këtë të enjte se dy ditë më parë është kërcënuar për shkak të punës. Ai ka deklaruar se ka bërë një denoncim në policinë e Elbasanit, pasi ka marrë disa kërcënime me telefon.
“Ju garantoj që nuk do të shpëtojë asnjë inspektor. Pavarësisht presioneve që kam, po them që kam pasur presione. Para dy ditësh kam shkuar në Policinë e Elbasanit, kam bërë denoncim, pikërisht sepse më vijnë mesazhe kërcënuese, më kanë marrë në telefon me kërcënime. Kam marrë dhe nuk kam frikë. Nuk kam frikë, se nuk i kam borxh njeriu”, tha ai.
Ndërsa po ashtu Sula ka deklaruar se do të vijojë punën si kryeinspektor dhe se askush nuk mund të flasë në emrin e tij.
“Dhe unë po them këtu, nga televizioni juaj i nderuar, i bëj thirrje çdo qytetari, çdo subjekti: nëse do të përdoret emri i Inspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, nga një inspektor, nga një trupë inspektimi, nga një drejtues i inspektoratit rajonal, nga një drejtues i inspektoratit qendror, që flet, sepse, në teori, ka qenë që “duhen për shefin”, unë i kam bërë të gjitha të qarta. Nuk ka më “për shefin”, të paktën për mua, këtu lart. Dhe po ju them që sfidën që unë kam, e kam me veten time”, u shpreh ai.
I ftuar në A2CNN, Sula ka folur edhe për marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama. Teksa në të shkuarën, gjatë përballjeve në Parlament apo gjatë fushatave elektorale, kryeministri Edi Rama i referohej Dashnor Sulës si “gjeli i Peqinit”, duket se ky i fundit i ka lënë pas krahëve sulmet politike.
Ai tha se, me emërimin në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, Rama i ka rikthyer dinjitetin dhe për këtë ai i është falënderues.
“Dua të jem 1000 herë faqebardhë para shqiptarëve, 100 herë me Edi Ramën, sepse ai burrë më riktheu dinjitetin. Më ka rikthyer dinjitetin, në kuptimin jo se do isha harruar unë, por më dha mundësinë që unë të tregoj vlerat e mia morale, profesionale, kush jam. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Nuk do të rrojmë as 500 vjet, as 1000 vjet. Ka shumë vlerë të kujtohesh për mirë. Mirë është edhe të lëmë emrin e mirë familjes, fëmijëve, nipërve, mbesave, stërnipërve, kur të ikim nga kjo botë”, tha ai.
