LAJME / E Enjte 17 Shtator 2026, 20:08

Gjyqtarët i çuan në SPAK për pagat, agjentët e BKH-së futen në Kuvend, thuhet se janë sekuestruar qindra...

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit raportohet se kanë shkuar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, për të sekuestruar dokumentet dhe korrespondencën e institucioneve, për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës.

Sekuestrimet e sotme, siç raportohet paraprakisht, vijnë një javë pas kallëzimit që gjyqtarët dhe prokurorët kanë bërë në Prokurorinë e Posaçme në lidhje me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Veç Kuvendit të Shqipërisë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë qenë edhe në Ministrinë e Financave.

Kryetarët e 18 gjykatave dhe dy shoqatat që përfaqësojnë gjyqtarët e çuan në SPAK konfliktin për bllokimin e pagave, duke kallëzuar ministrin Petrit Malaj dhe 15 zyrtarë të Thesarit për shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të vendimit gjyqësor.

“Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale përzgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar.

Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë moszekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit”, citohej në kallëzimin e siguruar nga BIRN.

Dy javë më parë, qeveria bllokoi pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të punonjësve të administratës së institucioneve të drejtësisë, pasi listë pagesat u dërguan bazuar në vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat vendosën llogaritjen e pagave për shtatorin në përputhje me vendimin e marrë më 17 shkurt nga Gjykata Kushtetuese.

Pasi konstatuan se Kuvendi e zvarriti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dy Këshillat vlerësuan se vendimi ishte i detyrueshëm dhe përcaktuan rritjen me pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit. Sipas këshillave, rritja e pagës duhej te fillonte nga data 1 gusht.

Po ashtu, u vendos që të kompensohej ulja e fshehur e pagës e realizuar me ligjin e mëparshëm të shfuqizuar ne muajin shkurt nga Gjykata Kushtetuese.

Në kallëzimin e nënshkruar nga kryetarët e gjykatave kërkohet fillimi i hetimeve ndaj ministrit Malaj, drejtorit të Thesarit, Gentian Këri dhe 14 zyrtarëve të tjerë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.