
Mbi 181 mijë aplikime janë dorëzuar për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve shkollore për vitin e ri shkollor 2026/2027, ndërsa procesi tashmë ka hyrë në fazën e verifikimit.
Drejtoresha e Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Anita Kadriu, ka bërë të ditur se deri më 14 gusht kishin aplikuar gjithsej 181 mijë e 599 persona.
Nga aplikimet e shqyrtuara deri në atë fazë, 95 mijë e 388 janë aprovuar nga koordinatorët e shkollave, ndërsa 710 aplikime janë refuzuar.
Aplikimi për subvencionim ishte hapur më 27 korrik 2026 përmes platformës e-Kosova, ndërsa afati i rregullt për aplikim përfundoi më 14 gusht.
Kur pritet të fillojnë pagesat?
Pas mbylljes së aplikimeve, procedura kalon në disa faza verifikimi para se paratë t’u transferohen familjeve.
Sipas Kadriut, synimi ishte që nga mesi i kësaj jave të përfundonte verifikimi i aplikimeve. Pas verifikimit, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit ia dërgon listat Ministrisë së Arsimit.
Më pas, aplikimet kalojnë në një komision të veçantë për kontrollin përfundimtar.
“Ky Komision e bën bartjen në Ministri të Financave për pagesa”, ka shpjeguar Kadriu.
Kjo do të thotë se aprovimi nga koordinatori i shkollës nuk është ende faza përfundimtare e procedurës, pasi listat duhet të kalojnë edhe verifikimin final para ekzekutimit të pagesave.
Ende nuk është përcaktuar shuma për secilin nxënës
Një prej çështjeve kryesore që prindërit presin të mësojnë është shuma që do të marrin për secilin fëmijë.
Kadriu kishte deklaruar më 11 gusht se ende nuk ishte përcaktuar se sa do të ndaheshin për nxënësit e klasave 1–5 dhe sa për ata të klasave 6–9.
“Jemi duke pritë mbylljen e aplikimeve dhe në bazë të numrit të nxënësve që do t’i marrin në nivel Kosove, ne do të dimë ta ndajmë edhe shumën e mjeteve, d.m.th. e ndajmë saktë për secilin”, kishte deklaruar ajo.
Për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2026 janë ndarë mbi 14 milionë euro.
Synimi: Librat të sigurohen para 1 shtatorit
Ministria synon që procesi i verifikimit dhe pagesave të përfundojë në kohë, në mënyrë që prindërit të kenë mundësi t’i blejnë tekstet para fillimit të vitit të ri shkollor.
Kadriu ka deklaruar se objektivi është që nxënësit të pajisen me të gjitha tekstet dhe mësimi të fillojë më 1 shtator 2026.
Në skemën e subvencionimit përfshihen edhe nxënësit me nevoja të veçanta, nxënësit e Qendrës Korrektuese në Lipjan dhe nxënësit nga SOS Fshatrat.
Këtë vit është mundësuar subvencionimi edhe për nxënësit, prindërit e të cilëve nuk kanë lejeqëndrim në Kosovë, me kusht që të dëshmohet se fëmija vijon shkollimin në vend.
Ky është viti i katërt radhazi që tekstet shkollore sigurohen përmes modelit të subvencionimit të prindërve, metodë që nisi në vitin shkollor 2023/2024, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
