
Rama vë në lëvizje deputetët për të menaxhuar politikisht protestën…
Ndërsa protesta qytetare po fiton terren në opinionin publik dhe po tërheq vëmendje brenda dhe jashtë vendit, Edi Rama duket se ka aktivizuar një strategji të re për ta menaxhuar politikisht atë.
Një dokument i brendshëm, i shpërndarë tek deputetët dhe drejtuesit e Partisë Socialiste, zbulon një plan të detajuar komunikimi që synon të ‘neutralizojë’ efektin e protestës pa hyrë në përplasje të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Dokumenti, i cili u është shpërndarë strukturave të maxhorancës, përcakton qartë jo vetëm tonin që duhet të përdoret në publik, por edhe mesazhet që duhet të përsëriten nga çdo përfaqësues i PS-së.
Udhëzimi i parë është domethënës. Socialistëve u kërkohet të heqin dorë nga gjuha e ashpër dhe të shmangin çdo shenjë arrogance apo cinizmi.
“Shmangni arrogancën, sa më modestë”, thuhet në dokument. “Ne asnjë moment cinizëm, por mirëkuptim”, vijon udhëzimi.
Po aq domethënës është edhe orientimi për të mos sulmuar protestën apo pjesëmarrësit e saj. “Jo akuza protestuesve, as protestës, por elementëve brenda saj”, thuhet në dokument.
Ky detaj tregon se strategjia e re nuk synon përballjen me protestën në tërësi, por identifikimin dhe goditjen e individëve apo grupeve të caktuara brenda saj, të cilët maxhoranca synon t’i paraqesë si faktorë manipulimi.
Në fakt, dokumenti i kërkon deputetëve të pranojnë publikisht se bëhet fjalë për një protestë qytetare.
“Ka një diferencë të madhe mes protestave të opozitës dhe atyre qytetare. Diferenca ndihet jo vetëm në pjesëmarrje, por edhe në mesazhe. Kjo është qartazi një protestë qytetare dhe duhen përgëzuar të gjithë ata që marrin pjesë në mënyrë të çiltër, siç janë shumica e pjesëmarrësve”, thuhet në udhëzimin e publikuar nga “Kapitali”.
Por menjëherë pas këtij vlerësimi, dokumenti orienton socialistët të ndërtojnë një narrativë tjetër, atë të pranisë së “elementëve manipulativë”.
“Por sigurisht në protestë ka edhe elementë manipulativë. Jo vetëm nga Shqipëria, kryesisht parti politike opozitare, jo vetëm nga rajoni, por edhe më gjerë”, thuhet në dokument.
Madje, në udhëzim përmendet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe Irani.
“Ne kemi të dhëna, të cilat janë edhe publike, për amplifikimin që Irani i bën kësaj proteste. Nuk është faji i protestuesve, por të gjithë të jemi të kujdesshëm të mos përdoremi nga askush që i do të keqen Shqipërisë”, thuhet më tej.
Dokumenti dikton edhe linjën e mbrojtjes së projektit, duke kërkuar që deputetët të theksojnë se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se procesi ndodhet vetëm në fazën e studimit mjedisor.
“Sot që flasim nuk ka ende një projekt, ndërkohë që studimi mjedisor sapo ka filluar. Janë angazhuar ekspertët dhe arkitektët më të mirë ndërkombëtarë për të realizuar një projekt që të jetë krenaria jonë kombëtare”, thuhet në tekst.
Po ashtu, socialistëve u kërkohet të argumentojnë se Shqipëria ka nevojë për investime të mëdha strategjike dhe se largimi i investitorëve do të ishte një sinjal negativ për ekonominë.
“Ne jemi një vend i vogël dhe nuk e kemi luksin t’i dëbojmë investitorët e mëdhenj. Një investitor që ikën i trembur është lajmi më i keq i mundshëm për Shqipërinë”, thuhet në dokument.
Pavarësisht toneve pajtuese, dokumenti tregon se maxhoranca po përpiqet të ndërtojë një strategji të kujdesshme për të zbehur impaktin politik të protestës. Protestuesit nuk duhen sulmuar, protesta duhet pranuar si qytetare, por njëkohësisht duhet të ngrihen dyshime mbi organizatorët, ndikimet politike dhe faktorët e jashtëm që, sipas PS-së, qëndrojnë pas saj.
Në këtë kuptim, dokumenti ngjan më shumë me një manual për neutralizimin e protestës sesa me një thirrje për dialog, duke treguar se shqetësimi i qeverisë për përmasat që po merr reagimi qytetar është tashmë real.
Udhëzimi i plotë i shpërndarë për maxhorancën
• Shmangni arrogancën, sa më modestë.
• Në asnjë moment cinizëm, por mirëkuptim.
• Jo akuza protestuesve, as protestës, por elementëve brenda saj.
• Sa herë ka pasur protestë qytetare, ER dhe PS kanë qenë në krah të qytetarëve. Kështu ndodhi me armët kimike, kështu ndodhi edhe me studentët.
• Ka një diferencë të madhe mes protestave të opozitës dhe atyre qytetare. Diferenca ndihet jo vetëm në pjesëmarrje, por edhe në mesazhe. Kjo është qartazi një protestë qytetare dhe duhen përgëzuar të gjithë ata që marrin pjesë në mënyrë të çiltër, siç janë shumica e pjesëmarrësve.
• Por sigurisht në protestë ka edhe elementë manipulativë. Jo vetëm nga Shqipëria (kryesisht parti politike opozitare), jo vetëm nga rajoni (xhelozia për zhvillimin e turizmit elitar), por edhe më gjerë. Ne kemi të dhëna, të cilat janë edhe publike (postimet në rrjete sociale), të amplifikimit që Irani p.sh. i bën kësaj proteste. Nuk është faji i protestuesve, por të gjithë të jemi të kujdesshëm të mos përdoremi nga askush që i do të keqen Shqipërisë.
• Fatkeqësisht, mbulimi i gjerë mediatik ndërkombëtar ka pak lidhje me protestën dhe shumë lidhje me disa nga investitorët e projektit. Jemi në një moment kyç të sezonit turistik, të mos i trembim ata që duan të vizitojnë Shqipërinë dhe të shpenzojnë para në vendin tonë.
• Si maxhorancë ne duhet të kujdesemi për mjedisin, por jo vetëm. Duhet të nxisim edhe zhvillimin e vendit në të gjithë sektorët, duke u kujdesur posaçërisht për mjedisin. Por turizmi, fjala vjen, nuk mund të zhvillohet vetëm me Airbnb ose me struktura hotelerie me 3 apo 4 yje. Na duhen edhe struktura të nivelit më të lartë dhe kur investitorë të huaj ofrohen, ne s’duhet t’i trembim ata. Shikoni çfarë ndodhi me Kakomenë 20 vjet më parë dhe shikoni ku është sot. Ajo që ndodhi atëherë nuk duhet të përsëritet më.
• Ne jemi një vend i vogël dhe nuk e kemi luksin t’i dëbojmë investitorët e mëdhenj. Një investitor që ikën i trembur është lajmi më i keq i mundshëm për Shqipërinë, pasi shumë e shumë të tjerë nuk do të afrohen më për kohë të gjatë.
• Sigurisht ne duhet të kujdesemi për ligjshmërinë dhe për mjedisin. Sot që flasim nuk ka ende një projekt, ndërkohë që studimi mjedisor sapo ka filluar. Janë angazhuar ekspertët dhe arkitektët më të mirë ndërkombëtarë për të realizuar një projekt që të jetë krenaria jonë kombëtare.
• Nuk ka tokë të dhuruar ndaj asnjë investitori. Ajo është një tokë private që është shitur nga privati te investitori.
• Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një resort, por bëhet fjalë për një investim gjigand që sjell të mira për të gjithë Shqipërinë, jo vetëm për zonën ku investimi do të kryhet. Më shumë punësim, më shumë prodhim, më shumë reklamë për Shqipërinë.
• Protesta qytetare është festë e demokracisë. Sa mirë që protesta të tilla ndodhin. Kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë të hapur për dialog, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe pse jo të përmirësojmë njëri-tjetrin. Me respekt dhe pa dhunë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
