
Trupi i pajetë i 35-vjeçarit Ferdinant Hoti, i cili u vra me armë zjarri në Itali, ka mbërritur në Shqipëri. Familjarët kanë bërë me dije se ceremonia e varrimit do të mbahet ditën e diel në Gurrëz të Kurbinit, nga ku ai ishte me origjinë.
Sipas mediave italiane, i riu është qëlluar me një plumb në kokë. Hetuesit italianë dyshojnë se krimi nuk ka ndodhur në vendin ku u gjet makina.
Automjeti, brenda të cilit ishte trupi i Hotit, u zbulua në San Giorgio delle Pertiche. Por sipas hetimeve, 35-vjeçari është ekzekutuar diku tjetër, me shumë gjasa në zonën e Venecias ku ai jetonte, dhe më pas autorët e kanë transportuar kufomën për ta zhdukur.
Skema e fshehjes së trupit ngre dyshime se nuk është organizuar nga një person i vetëm. Hetuesit mendojnë se autorët kanë bërë më parë zbulim terreni për të gjetur vendin ideal për të hedhur makinën në lumë. Zona ku u gjet automjeti është e izoluar, mes rrugëve dytësore, dhe e vështirë për t’u gjetur nga dikush që nuk e njeh mirë territorin.
Dy janë pistat kryesore ku po hetohet, prishja e pazareve të drogës dhe hakmarrja për një atentat të mëparshëm
Pista e dytë lidhet me një ngjarje të ndodhur natën mes 30 qershorit dhe 1 korrikut në Zianigo di Mirano. Atë natë, një shtetas shqiptar u plagos me armë zjarri në shpatull teksa po kthehej në banesë me partneren. Ai u prit në pritë nga dy persona, dyshohet shqiptarë, dhe njëri prej tyre hapi zjarr.
Autoritetet italiane po verifikojnë nëse ekzekutimi i Ferdinant Hotit ka lidhje me atë atentat dhe nëse bëhet fjalë për një larje hesapesh mes grupeve. Deri në këto momente, megjithatë, nuk ka asnjë provë konkrete që i lidh dy ngjarjet.
