
Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar shifrat e të ardhurave nga grupet kriminale.
Duke folur për gazetarin Blendi Fevziut, Hoxha solli si shembull një grup nga Elbasani, të njohur në atë periudhë si “Grupi i Dubait”.
Ai deklaroi se ky ishte grupi i parë shqiptar që kishte kaluar kufirin e 1 miliard dollarëve, ndërsa në momentin kur u godit nga autoritetet kishte arritur, në mbi 3 miliardë dollarë fitime.
“Grupi i parë shqiptar që kaloi 1 miliard dollarë. Dhe në momentin kur u godit i kishte kaluar mbi 3 miliardë dollarë”, deklaroi Artan Hoxha.
Edhe pse gazetari nuk e tha, bëhet fjalë për grupin e drejtuar nga Franc Çopja, tashmë i ekstraduar në Belgjikë për vrasjen e Arjan Spahiut dhe Hajdar Çopja, rezident në Dubai.
Sipas gazetarit, përmasat financiare të grupit kishin tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve belge, të cilat kishin bërë përpjekje të mëdha për të kapur personin që lidhej me të. Hoxha tregoi se informacionet e siguruara nga autoritetet e huaja flasin edhe për blerjen e një sasie prej një ton ari, në lingota dhe monedha, pasuri që dyshohet se mund të jetë futur në Shqipëri.
“Në momentin kur është goditur, autoritetet belge kanë lëvizur çdo gur për ta marrë me patjetër atë person. Dhe kemi të bëjmë me një grup që të paktën nga informacionet që janë siguruar nga autoritetet e huaja, dhe po e kërkojnë… si the ti për thesarit, ishte thesari i Kartelit të Medellinit, se s’është gjetur akoma. Por të paktën, ka blerë 1 ton ar, në lingota dhe në monedha, e cila mendohet që është pasuri që mund të jetë futur në Shqipëri. Pjesa tjetër pastaj janë blerë, është blerë një makineri për prerje diamantesh, por nuk janë gjetur diamantet dhe rezervat e tjera. Dhe pjesa tjetër, investimi tjetër që ai ka bërë është, përveç Shqipërisë, se Shqipëria është një, si të them, një treg i vogël”, deklaroi Hoxha.
Hoxha vijoi duke thënë se Shqipëria ishte një treg tepër i vogël për përmasat financiare që kishte arritur një grup i tillë. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e parave ishte orientuar drejt Dubait, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të ndërtimit.
“Është treg shumë i vogël për një lloj investitori të tillë. Por në Dubai, në nëntor, në tetor të vitit 2022, ai kishte një investim prej 260 milionë dollarësh në real estate dhe në ndërtim”, u shpreh Hoxha.
Gazetari tregoi gjithashtu se grupi kishte rënë në sy të autoriteteve për shkak të shpejtësisë me të cilën kishte krijuar pasurinë dhe sasive të mëdha të parave që kishte arritur të gjeneronte.
“Ky ka qenë grupi që ra më shumë në sy sepse u bë i pasur shumë shpejt dhe kaloi sasi”, deklaroi Hoxha.
