
Është publikuar fotoja e 42-vjeçares shqiptare që humbi jetën mëngjesin e së premtes në San Donà di Piave, pranë Venecias. Viktima është Lavdije Isteri, nga Durrësi, nënë e tre fëmijëve.
Siç ru raportua gjatë edhe më herët, aksidenti i rëndë ndodhi pak para orës 08:00, në kryqëzimin e rrugëve Passarella dhe Paolo VI, teksa gruaja po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.
Sipas mediave italiane, kamioni i mbledhjes së mbeturinave po kthehej djathtas në një rrugë dytësore kur ka goditur për vdekje 42-vjeçaren. Vdekja ka qenë e menjëhershme.
Aksident tragjik në Itali, kamioni i plehrave përplas për VDEKJE shqiptaren, vajza e saj 9-vjeçare pa ngjarjen (EMRI)
Tragjedia ka ndodhur para syve të vajzës së mitur. Sipas dëshmitarëve, 9-vjeçarja ndodhej vetëm pak metra përpara nënës dhe kishte kaluar tashmë rrugicën, çka bëri që të shpëtonte.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë urgjenca dhe zjarrfikësit, të cilët u detyruan të përdornin vinç për të ngritur kamionin, por për 42-vjeçarem nuk mund të bëhej më asgjë.
“Po i shoqëroja fëmijët e mi në shkollë kur pashë shumë nëna që vrapuan drejt fundit të rrugës. Kur mbërritëm, pamë tragjedinë. Fatmirësisht, vajza ishte pak më përpara nënës dhe e kishte kaluar rrugicën”, tha një nënë e pranishme pranë shkollës.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar dhe atë lokal. Në shkollën fillore “Marco Polo”, ku mësonte vajza, nxënësit nuk dolën në pushimin e madh, ndërsa prindërit u larguan të tronditur pas mësimit. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
