LAJME / E Diel 26 Nëntor 2023, 14:02

Mijëra njerëz protestojnë në qytetet italiane pas vrasjes së studentes 22-vjeçare nga ish-dashuri

Dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta në të gjithë Italinë, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave pas vrasjes së një studenteje në fillim të këtij muaji. Giulia Cecchettin dyshohet se u vra nga ish-i dashuri i saj disa ditë para se të diplomohej. Turma të mëdha u mblodhën në Milano dhe Napoli dhe pati një bllokim në qendër të kryeqytetit, Romë. Presidenti i Italisë tha se vrasja e grave nuk mund të tolerohej.

Në një deklaratë për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Sergio Mattarella tha: “Lajmet dramatike kanë tronditur ndërgjegjen e vendit.

“Një shoqëri njerëzore që aspiron të qytetërohet nuk mund ta pranojë, nuk mund ta durojë këtë varg sulmesh ndaj grave dhe vrasjeve”, tha ai, duke shtuar se dhuna ndaj grave ishte një dështim i shoqërisë. Të dhënat nga ministria e brendshme italiane tregojnë se 106 gra janë vrarë deri më tani në vend këtë vit, 55 prej tyre dyshohet se nga një partner apo ish-partner.

Protestat zhvillohen mes një sfondi zemërimi publik për vrasjen e Cecchettin, një studente 22-vjeçare e inxhinierisë biomjekësore, e cila do të diplomohej në Universitetin e Padovës javën e kaluar.