
Përfaqësuesja e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha, ka dalë në një konferencë për media, ku ka shprehur mirënjohjen për qytetarët që iu bashkuan “Marshit për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Hoxha e ka cilësuar marshimin e 12 shtatorit si një aktivitet dinjitoz dhe masiv, duke vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve dhe mënyrën paqësore të zhvillimit të tij.
Sipas saj, mesazhi i përcjellë përmes marshimit ishte i qartë: mbështetja e qytetarëve të Kosovës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Ajo ka falënderuar gjithashtu institucionet e sigurisë për bashkëpunimin, si dhe kompanitë dhe bizneset që kontribuuan në mbarëvajtjen e aktivitetit.
Duke folur për aktivitetet që i kanë paraprirë marshimit, Hoxha përmendi “Orët e Pritjes”, të organizuara në komuna të ndryshme, si dhe aktivitetet e përbashkëta me organizatat e dala nga lufta dhe veteranët në shtatë Zonat Operative, të zhvilluara nën moton “Zjarret e Lirisë”.
Mirënjohje, sipas saj, shkon edhe për bashkësitë fetare, grupet kulturore e sportive, komunitetet joshumicë, partitë politike dhe bizneset që kanë mbështetur aktivitetet e platformës gjatë kësaj periudhe.
Hoxha u ndal edhe te konferenca “Lufta për UÇK-në”, e zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga akademia, universitetet dhe shoqëria civile. Në fokus të diskutimeve ishin kujtesa kolektive, historiografia, rrëfimet mbi luftën dhe mënyra se si proceset gjyqësore po ndikojnë në interpretimet e tyre.
Ndërkohë, nga 15 dhe 16 shtatori, aktivitetet e “Liria ka emër” zhvendosen në Hagë, ku platforma do t’i bashkohet diasporës shqiptare në aktivitetin “Nata e Pritjes”.
Hoxha ka deklaruar se më 16 shtator presin një vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së dhe e ka përshkruar këtë datë si një moment që mund të shënohet me festë në Kosovë.
Në përmbyllje të konferencës, ajo ka falënderuar edhe mediat për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj platformës “Liria ka emër” gjatë gjashtë viteve të fundit.
