LAJME / E Martë 15 Shtator 2026, 01:01

Aktgjykimi në Hagë, paralajmërimi i fortë nga mediat gjermane: “Kosovën mund ta presin ditë të trazuara”

Kosova mund të përballet me protesta dhe tensione të reja në ditët para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së. Paralajmërimi vjen nga media gjermane, të cilave u referohet Deutsche Welle.

Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë pritet të shpallet të mërkurën, më 16 shtator. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve, ndërsa ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, një vendim që do t’i shpallte fajtorë mund të rikthente protestat dhe të shtonte tensionet në Kosovë. Gazeta vlerëson se procesi mund të ndikojë edhe në mënyrën se si perceptohet ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Interesi dhe mobilizimi publik janë shfaqur edhe gjatë ditëve të fundit. Të shtunën, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në një tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre.

Nga ana tjetër, “Neue Zürcher Zeitung” e sheh procesin e Hagës si një faktor që ka ndikuar në rritjen e mbështetjes për Hashim Thaçin. Gazeta rikthen në vëmendje edhe pretendimet e hershme për trafikim organesh, duke theksuar se ato nuk janë mbështetur nga prova të qëndrueshme.

Në qendër të procesit gjyqësor qëndron çështja e përgjegjësisë së ish-drejtuesve të UÇK-së për krimet e pretenduara. Prokuroria argumenton se ata mbanin përgjegjësi për veprimet e vartësve, ndërsa mbrojtja kundërshton këtë version, duke pretenduar se UÇK-ja nuk funksiononte përmes një zinxhiri të qartë komandimi dhe se të akuzuarit nuk kishin kontroll efektiv mbi luftëtarët në terren.

Për një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve të Kosovës, aktgjykimi i pritshëm shihet si më shumë sesa një vendim mbi përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Ai mund të ndikojë edhe në mënyrën se si perceptohet lufta e UÇK-së dhe trashëgimia e saj në shoqërinë kosovare.