
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dalë me një njoftim lidhur me demonstratat e paralajmëruara për të mërkurën, më 16 shtator, ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në njoftim thuhet se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha në qendër të Prishtinës, por edhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
Ambasada ka paralajmëruar se grumbullimet mund të sjellin numër të madh pjesëmarrësish, mbyllje të rrugëve dhe pengesa të konsiderueshme në komunikacion.
Për këtë arsye, është rekomanduar shmangia e zonave ku janë paralajmëruar demonstratat dhe kujdes i shtuar për personat që mund të gjenden pranë grumbullimeve të mëdha.
“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe pengesa të rënda në trafik”, thuhet në njoftim.
Ambasada ka këshilluar gjithashtu kufizimin e lëvizjeve në zonat që mund të preken dhe shmangien e udhëtimeve drejt punës apo shkollës në rast se rruga kalon nëpër vendet ku pritet të ketë grumbullime.
“Këshillohet të kufizoni lëvizjet në zonën përreth vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimin drejt vendit të punës apo shkollës nëse rruga juaj kalon përmes zonave të prekura, pasi mund të mos arrini ta përfundoni udhëtimin në kohë”, thuhet më tej.
Masa të ngjashme janë rekomanduar edhe për personelin e Qeverisë amerikane. Sipas njoftimit, personeli është këshilluar të shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave.
Po ashtu, personeli amerikan është këshilluar që të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së mbylljes së rrugëve dhe pengesave të mëdha në trafik.
Pavarësisht këtyre masave, Ambasada amerikane ka njoftuar se do të vazhdojë të jetë e hapur gjatë kësaj dite.
“Ambasada e SHBA-së do të jetë e hapur dhe do të ofrohen shërbime të kufizuara konsullore sipas nevojës”, thuhet në njoftim.
Paralajmërimi vjen në prag të 16 shtatorit, kur vëmendja e opinionit në Kosovë pritet të jetë e përqendruar te Haga dhe shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
