LAJME / E Hënë 14 Shtator 2026, 21:09

TRAGJEDI NË AJËR/ Avioni i nisur nga Holanda rrëzohet në Gjermani, 3 persona humbin jetën

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni të vogël në Gjermani.

Aksidenti tragjik ndodhi të hënën, rreth orës 11:20, pranë fshatit Gerderath, në afërsi të qytetit Erkelenz, në landin Nordrhein-Westfalen.

Avioni ishte i tipit Cessna 172 dhe, sipas raportimeve të mediave holandeze, ishte nisur nga aeroporti i Hilversumit në Holandë.

Mjeti fluturues u rrëzua në një fushë, ku u shkatërrua plotësisht. Të tre personat që ndodheshin në bord humbën jetën dhe nuk pati të mbijetuar.

Policia e qarkut Heinsberg konfirmoi viktimat, ndërsa identitetet e tyre ende nuk janë bërë publike.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe zjarrfikësit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e rrëzimit.

Sipas raportimeve nga Holanda, avioni ishte në pronësi të Vliegschool Hilversum.