LAJME / E Martë 15 Shtator 2026, 12:12

LAJMI I FUNDIT / Tjetër goditje për Albin Kurtin

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar vendimin e Kuvendit lidhur me formimin e Qeverisë së re.

Pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, deputetët e PDK-së, Arian Tahiri dhe Përparim Gruda, janë deklaruar për media, transmeton Klankosova.tv.

Tahiri tha se PDK-ja ka kërkuar që Gjykata ta trajtojë çështjen e votimit të Qeverisë dhe të vendosë masë, me qëllim që, sipas tij, të rikthehet ligjshmëria dhe funksionimi i institucioneve brenda kornizës kushtetuese.

“Jemi këtu te Gjykata Kushtetuese ku e deponuam kërkesën tonë dhe me e trajtu çështjen e votimit të Qeverisë. Duhet t’i vendoset masa dhe të kthehet ligjshmëria nga Gjykata. Po paralajmëroj se secilat vendime ne do t’i sfidojmë në Gjykatë Kushtetuese, sepse është shumë e rëndësishme që vendi të kthehet në binarë kushtetues”, deklaroi Tahiri.

Ndërkaq, deputeti Gruda konfirmoi se subjekti i tij politik ka kontestuar vendimin e Kuvendit për formimin e ekzekutivit të ri.

“Kemi kontestuar vendimin e Kuvendit për formimin e Qeverisë”, tha Gruda.

Sipas tij, çdo vendim mbetet në dorën e Kushtetuese për shkeljet, që sipas tij, janë bërë në institucionet themelore të shtetit.

PDK kërkoi që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse procedura dhe vendimi për zgjedhjen e Qeverisë janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke argumentuar se çdo institucion i ri duhet të ketë një bazë të pakontestueshme kushtetuese.

Po ashtu, partia kërkoi me ngulm rikthimin në rendin kushtetues, jo, siç thotë ajo, në një rend të imponuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke insistuar se institucionet e Republikës duhet të funksionojnë vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe jo të vullnetit politik të një partie.