LAJME / E Martë 15 Shtator 2026, 12:12

Ilir Meta mbetet në burg, GJKKO rrëzon kërkesën e ish-presidentit

Ish-presidenti Ilir Meta do të vijojë të qëndrojë në burg, pasi GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tij për ndryshim të masës së sigurisë.

Kërkesa e paraqitur nga mbrojtja e Metës synonte zëvendësimin e masës së “arrestit në burg” me një masë më të butë sigurie.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024, ndërsa ndaj tij SPAK ka ngritur akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në kuadër të hetimeve që lidhen edhe me aktivitetin e tij dhe atë të bashkëshortes, Monika Kryemadhi.

Meta i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa procesi penal ndaj tij vijon në Gjykatën e Posaçme.

Ndërkohë, dje, më 14 shtator, Apeli i GJKKO-së pranoi kërkesën e Metës që gjatë seancave të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë dhe pranë avokatit të tij.