LAJME / E Martë 15 Shtator 2026, 12:12

E FUNDIT/ Erion Veliaj mbetet në burg, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e kryebashkiakut

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në qeli. Ky është vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i marrë sot më datë 15 shtator.

Ky vendim u mor pas shqyrtimit të dosjes penale, ku kërkues ishte Erion Veliaj, i cili kundërshtonte masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në kërkesën e tij, Veliaj kishte kërkuar shfuqizimin e një sërë vendimesh të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Apelit të Posaçëm dhe më herët të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Çështja ishte rikthyer për shqyrtim pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte kërkuar që Gjykata e Lartë të arsyetonte më tej nëse masa “arrest në burg” ishte proporcionale në raport me rrethanat e çështjes dhe statusin e Veliajt si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë mbrojtja e Veliajt ka argumentuar se vazhdimi i masës së arrestit cenon edhe ushtrimin e mandatit të tij si kryetar bashkie. Avokatët e tij kanë paralajmëruar gjithashtu një ankimim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, lidhur me masën e sigurisë dhe aspekte të tjera të procesit.

Me vendimin e sotëm, Gjykata e Lartë ka konfirmuar vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Erion Veliajt.

Akuzat per Veliajn! Ne burg prej 10 shkurtit 2025

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa ndaj tij SPAK ka ngritur një sërë akuzash, të cilat ai dhe mbrojtja e tij i kundërshtojnë. Sipas raportimeve të fundit, dosja ndaj tij përfshin 13 akuza, ndërsa procesi penal vijon në GJKKO.

Sipas SPAK, Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Vendimi i Gjykates se Lartë sot, 15 shtator 2026:

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar.

Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.