LAJME / E Martë 15 Shtator 2026, 12:12

Avokatja e Hashim Thaçit ‘dridh’ hagen me kete qe tha

Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon, ka kundërshtuar përdorimin e transkripteve të paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në çështjen që lidhet me pretendimet për pengim të administrimit të drejtësisë në Gjykatën Speciale.

Gjatë paraqitjes së saj, Menegon ka bërë të ditur se mbrojtja e Thaçit nuk po kundërshton vetëm pjesë apo fjali të caktuara, por transkriptet në tërësinë e tyre.

Sipas avokates, Prokuroria nuk e ka përmbushur barrën që i takon për të dëshmuar besueshmërinë dhe bazën mbi të cilën këto materiale duhet të përdoren kundër të akuzuarit.

“ZPS-ja nuk e ka përmbushur barrën e provës dhe privilegjin e kundërvetëinkriminimit”, tha Menegon.

Ajo argumentoi se barra nuk mund t’i kalojë mbrojtjes apo vetë të akuzuarve për të dëshmuar se transkriptet janë të pasakta. Sipas saj, është Prokuroria ajo që duhet të përmbushë standardin e nevojshëm për materialet që kërkon t’i përdorë në mbështetje të çështjes së saj.

“Ne kundërshtojmë transkriptet në tërësinë e tyre dhe nuk kundërshtojmë fjali të caktuara të transkripteve. Nuk pritet që tani mbrojtja të ketë barrën e provës ose të akuzuarit të kenë barrën e provës për të vërtetuar pasaktësinë”, deklaroi Menegon.

Një tjetër pikë e ngritur nga avokatja lidhej me personat që kanë përgatitur transkriptet. Menegon tha se, sipas mbrojtjes, personat që i kanë bërë ato nuk janë të njohur dhe mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që t’i marrë në pyetje.

Pikërisht për këtë arsye, ajo argumentoi se një eventual vendim fajësie ndaj Thaçit nuk mund të mbështetet vetëm, apo në masë të madhe, në këto materiale.

“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata”, tha Menegon.

Qëndrimi i paraqitur nga Menegon përbën argumentin e mbrojtjes lidhur me pranueshmërinë dhe peshën që duhet t’u jepet këtyre materialeve. Vendimi për mënyrën se si do të vlerësohen transkriptet dhe çfarë peshe do të kenë ato në proces i takon trupit gjykues.

Thaçi është deklaruar i pafajshëm në këtë çështje, ndërsa kundërshtimi i mbrojtjes ndaj materialeve të Prokurorisë është pjesë e debatit gjyqësor mbi provat që mund të merren parasysh gjatë procesit.