LAJME / E Premte 14 Janar 2022, 22:10

Kosi me fekale dhe produkte të tjera të firmës, bllokohen sot në të gjitha marketet

AKU ka bllokuar të gjithë linjën e prodhimit të kosit dhe salcës së kosit të kompanisë së përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, “Gjirofarm”.

AKU konfirmon se nga analizat e bëra në Institutitin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare në produktet e kosit dhe salcës së kosit të kësaj kompania është konstatuar një Ngarkesë e Përgjithshme Mikrobike mbi normën e lejuar.

Bëhet fjalë për “enterobakter”, i cili gjendet në traktin ushqimor të kafshëve dhe më pas shpërndahet përmes ujit në rastet kur kafsha pi ujë apo edhe jashtëqitjes së tyre.

Sipas AKU-së, menjëherë pas konstatimit të këtij bakteri të rrezikshëm, është urdhëruar bllokimi i linjës së prodhimit të kosit dhe salcës së kosit si edhe është kërkuar nga kompania që të tërheqë nga tregu të gjithë prodhimin e kësaj linje.

Po ashtu, mësohet se është bllokuar edhe sasia e produktit të gjendur brenda fabrikës pasi dyshohet se po ashtu është e kontaminuar me këtë bakter.

Enterobakteret kanë si habitatin e tyre natyror sistemin tretës të kafshëve, kryesisht zorrët. Prania e tyre në zorrët e kafshëve bën që të ketë një shpërndarje të tyre të gjerë në tokë, ujë dhe ujërat e zeza.

Tek njerëzit, specie të shumta Enterobakteri njihen si organizma që shkaktojnë sëmundje të ndryshme, duke përfshirë infeksionet e syve dhe lëkurës, meningjitin, baktereminë (infeksion bakterial të gjakut), pneumoni dhe infeksione të traktit urinar.