
Gratë dhe burrat në Tiranë jetojnë më gjatë se ata që janë në 11 qarqet e tjera të vendit. Por e njëjta nuk mund të thuhet për Gjirokastrën pasi është qarku me jetëgjatësinë më të ulët në vend.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT, tregojnë se në vitin 2022, qarku me jetëgjatësinë më të lartë të pritur në lindje për burra ishte i Tiranës, me 81,0 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte i Gjirokastrës, me 72,5 vjet. Po gjatë këtij viti, Tirana ishte qarku me jetëgjatësinë më të lartë për femra, me 84,5 vjet, ndërsa qarku me treguesin më të ulët ishte i Gjirokastrës, me 77,9 vjet.
Sipas këtyre të dhënave, Tirana, Durrësi dhe Kukësi janë qarqet me jetëgjatësinë më të madhe në rang vendi. Ndërkohë që në rang vendi, jetëgjatësia e pritur në lindje për të gjithë popullsinë ishte 79,1 vjet. E ndarë, ajo ishte 77,3 vjet për burrat dhe 80,9 vjet për gratë.
Në vitin 1950, jetëgjatësia e shqiptarëve ka qenë 54.4 vite, por me kalimin e viteve deri në 2022, ajo është rritur me 45%. Gjatë 70 viteve të fundit rritja më e madhe e popullsisë ka ndodhur në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%. Nga 54.4 vjeç, më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite. Që nga ajo kohë, jetëgjatësia në vendin tonë është rritur me ritme të ulëta.
INSTAT parashikon që në fund të viteve 2030 jetëgjatësia mesatare për burrat shqiptare do të jetë 80 vjeç dhe për gratë 83.5 vite.
