Pas rrëfimit të historisë së tij në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ku Aureli tregoi se në moshën 32-vjeçare zbuloi se ishte i birësuar, ka ardhur momenti për të vërtetën. Stafi i rubrikës së njohur të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan ka hulumtuar për të gjetur nënën e tij biologjike dhe ka grumbulluar informacione, të cilat, duke pasur në fokus interesin më të lartë të palës tjetër, do të bëhen publike vetëm disa prej tyre. por përpara se moderatori Ardit Gjebrea t’i tregojë Aurelit një pjesë të origjinës së tij duke i dhënë përgjigje disa prej dilemave që e kanë munduar deri më sot që është 37 vjeç, ai ka një pyetje të rëndësishme për të.
Ardit Gjebrea: Përpara se të tregoj çfarë dimë ne, ti çfarë ke menduar deri tani për nënën tënde? Cila është ndjenja që të kaplon?
Aurel: Në rast se është gjallë, po them unë, i uroj gjithë të mirat në jetë dhe nuk jam tip që paragjykoj. Fjala nënë mbetet derisa të kemi frymën e fundit.
Ardit Gjebrea: Gjallë e ke, ta kemi gjetur.
Aurel: Faleminderit.
Ardit Gjebrea: Ke dhe dy vëllezër e një motër.
Aureli mbytet nga emocionet e forta e nis të përlotet nga e vërteta që e ka kërkuar aq shumë. Por takimi me nënën e tij do të duhet të presë për një moment të dytë, për disa arsye të cilat Ardit Gjebrea ia bën të ditura.
Ardit Gjebrea: Duke vijuar me kujdesin që kemi ne për ato çka jemi të autorizuar që të themi është që nëna nuk është gati të të takojë, është edhe pak pa qejf për hir të së vërtetës dhe më duket nuk dua të gaboj, se nuk është as fare në Shqipëri për momentin, ka shkuar për t’u kuruar diku, por nuk dua të jap më shumë detaje sepse kur stafi ynë komunikoi me familjen tënde, nëna jote ka komunikuar me familjen tënde, siç të thashë dhe nuk iu kish treguar fëmijëve e askujt. Në jetë ka gjithfarë momentesh dhe ndonjëherë ka disa gjëra që lëndojnë. Shtatzënia jote ishte një gjë që e ka lënduar nënën tënde, por deri këtu mund të them, asgjë më tepër. Historinë do të ta tregojë ajo. Një gjë është e rëndësishme: që ti jeton. Pavarësisht se çfarë i ka ndodhur nënës tënde, ajo vendosi që ty të të sjellë në jetë.
Aurel: Dhe unë e dua me gjithë shpirt