LAJME / E Diel 26 Nëntor 2023, 02:02

Fjalori i gjuhës shqipe do të pasurohet me 70 mijë fjalë të reja!

Shumë shpejt pritet që të publikohet fjalori i ri i gjuhës shqipe, një version i përditësuar i botimit të vitit 1980, teksa sipas raportimeve të fundit, pritet që fjalori të pasurohet me rreth 70 mijë fjalë të reja. 

Për hartimin e fjalorit të ri kanë dhënë kontributin e tyre akademikë, gjuhëtarë të njohur nga të gjitha vendet shqipfolëse, si edhe pjesëtarë të universiteve të Shqipërisë dhe të Kosovës, më saktësisht atij të Prishtinës.

Kështu, nëse në fjalorin e para 43 viteve kanë qenë të përfshira gati 40 mijë fjalë, në fjalorin që pritet të dalë pas disa muajsh, në vitin 2024, do të jenë të përfshira 110 mijë fjalë. 

“Fjalori ka 110 mijë fjalë pa llogaritur kuptimet, ka rreth 11.500 njësi frazologjike dhe shumë njësi të tjera të ligjërimit”- ka bërë me dije Ali Jashari, profesor doktor në universitetin e Korçës, pjesë e grupit të punës së fjalorit të fundit të gjuhës shqipe.